Një moment i veçantë ka shënuar jetën personale të gazetarit Osman Stafa. Përmes një surprize romantike në bregdet, ai i ka propozuar për martesë partneres së tij, Kristina Belba, e cila i ka thënë “Po”.
Vetë gazetari ka ndarë lajmin me ndjekësit në rrjetet sociale, duke publikuar pamje nga propozimi mes luleve të bardha, qirinjve dhe perëndimit të diellit.
Të lidhura
None found
“Ajo tha: ‘Po.’ 😍 Është fryma, që kur s’e ke, nuk jeton. Është ajo, më e bukura e dheut. Kristina ime. Të dua”, shkruan Stafa krahas videos së publikuar në Instagram.
Osman Stafa është një nga zërat më të njohur të gazetarisë shqiptare, i angazhuar prej vitesh në denoncimin e problematikave sociale, veçanërisht atyre që lidhen me sistemin publik shëndetësor. Së fundmi, ai është bërë edhe një nga figurat më të spikatura të protestës qytetare që prej 26 ditësh zhvillohet në Tiranë.
Pak javë më parë, gjatë një interviste në emisionin “S’e luan topi”, gazetari foli rrallë për jetën e tij private dhe partneren, Kristina Belba.
“Ajo pa te unë jo bukurinë, ndaj e vlerësoj”, u shpreh ai me humor dhe dashuri.
Në të njëjtën intervistë ishte vetë Kristina ajo që zbuloi se çifti planifikonte të shpallte fejesën në fund të muajit. Ndërsa Osman Stafa iu përgjigj me batutë:
“Derisa e thotë Kristina, është e vërtetë, por shpalljen e fejesës do ta bëj në protestë.”
Mesa duket, surpriza erdhi pak më ndryshe nga sa ishte paralajmëruar. Propozimi romantik tashmë është bërë realitet dhe Kristina ka thënë “Po”, duke shënuar nisjen e një kapitulli të ri për çiftin.


