Elena Kocaqi ishte e ftuar në emisionin “S’e Luan Topi”, të moderuar nga Erjona Rusi, ku ndau me publikun një nga periudhat më të vështira të jetës së saj. Ajo foli për humbjen e babait, të cilën e cilësoi si një përjetim shokues.
Të lidhura
None found
Babai i saj pësoi një aksident në banesë dhe qëndroi për dy muaj i shtruar në spital. Kocaqi tregoi se la çdo angazhim për t’u kujdesur për të, ndërsa humbja e tij e rëndoi jashtëzakonisht shumë.
Gjatë intervistës, ajo përmendi edhe ndarjen nga jeta të vëllait, Altinit, në vitin 2017. Sipas saj, ai ishte shumë i përkushtuar ndaj shkencës dhe përpiqej gjithmonë të jepte më të mirën.
Pjesë nga intervista:
Elena: Babai ka qenë personi që më ka shtyrë të shkruaj. Kur isha 18 vjeçe dhe realizova një projektim, thashë se do të bëhesha shkrimtare. Librin e parë e kam përfunduar në vitet 2005-2006, ndërsa prej 20 vitesh botoj libra.
Erjona: Si do t’i përshkruaje prindërit e tu?
Elena: Me babain kam pasur një lidhje shumë të fortë dhe largimi i tij ishte tronditës. Ai nuk vuante nga ndonjë sëmundje; ishte 82 vjeç, në gjendje të mirë, por u godit nga një makinë brenda shtëpisë. Për dy muaj qëndruam në spital dhe unë hoqa dorë nga gjithçka për t’u kujdesur për të. Ende nuk e kuptoj se nga e gjeta forcën për ta përballuar.
Pas vdekjes, babai më është shfaqur në ëndërr i buzëqeshur. Sa herë që jam në vështirësi, e shoh në ëndërr dhe kur zgjohem i them vetes se gjithçka do të shkojë mirë. Kur ishte i sëmurë, përpiqesha ta bindja se do të përmirësohej, por një ditë ai më puthi duart dhe më tha: “Të keqen babi, ti duhet të ngushëllohesh, sepse babi do të ikë”. Ndoshta e parandiente se fundi po afrohej, pasi gjendja e tij përkeqësohej gjithnjë e më shumë.
Për mua ishte një tronditje e jashtëzakonshme. Me të mund të flisja për dashurinë, jetën, historinë dhe çdo gjë tjetër. Deri në çastin e fundit nuk pranova se mund ta humbisja. Ishte përvoja më e rëndë që kam kaluar ndonjëherë. Kam qenë shumë e lidhur me të dhe e di se do të më mungojë edhe në vitet që do të vijnë, sepse askush nuk mund ta zëvendësojë. As bisedat, as këshillat e tij nuk mund të zëvendësohen.
Erjona: Kjo nuk ka qenë humbja e vetme. Në vitin 2017 ke humbur edhe vëllain.
Elena: E di çfarë marrëdhënieje ka një motër me vëllain. Në një farë mënyre, ajo merr edhe rolin e nënës. Dashuria e motrës për vëllain është një dashuri që mbart edhe atë rol.
Erjona: Me Altinin ndaje edhe pasionin për historinë?
Elena: Ai ishte i apasionuar pas shkencës dhe gjithmonë përpiqej të jepte maksimumin.
Erjona: Kam parë një fotografi me djalin e tij.
Elena: Ai mbushi 20 vjeç dhe i uroj vetëm të mira në jetë. Është një fëmijë i edukuar.
