Dhjetëra mijëra qytetarë protestuan të shtunën në Madrid dhe në qytete të tjera të Spanjës, duke kërkuar zgjidhje konkrete për krizën e strehimit. Demonstratat u mbajtën një ditë pasi parlamenti hodhi poshtë paketën e masave të propozuara nga qeveria.
Të lidhura
None found
Protestat u zhvilluan në rreth 50 qytete dhe u thirrën nga organizata që kundërshtojnë rritjen e qirave dhe vështirësitë e shumta për të gjetur një banesë të përballueshme.
Vlerësimet për numrin e pjesëmarrësve ishin të ndryshme. Autoritetet e Madridit folën për rreth 70 mijë persona, ndërsa organizatorët pretenduan se në protestë morën pjesë rreth 500 mijë njerëz.
Demonstruesit mbanin pankarta dhe kërkuan që banesa të konsiderohet një e drejtë themelore. Në disa prej tubimeve u dëgjuan edhe thirrje për organizimin e një greve të përgjithshme.
“Ne po kërkojmë një të drejtë themelore: strehim të denjë, stabilitet dhe kushte që na lejojnë të ndërtojmë një jetë të denjë”, deklaroi një protestues në Madrid. Ai tha se gjysmën e pagës e shpenzon për një dhomë të vogël.
Pakënaqësia shpërtheu pasi koalicioni qeverisës i drejtuar nga kryeministri Pedro Sánchez kishte paraqitur, një ditë më parë, dy dekrete që përmbanin një sërë masash për përballimin e krizës së strehimit.
Mes propozimeve ishin ndalimi i dëbimeve deri në vitin 2030, si dhe vendosja e rregullave për qiratë afatshkurtra dhe banesat e dhëna me dhoma.
Megjithatë, dy dekretet nuk siguruan votat e nevojshme në parlament. Kundër tyre u rreshtuan Partia Popullore konservatore, Vox dhe partia katalanase pro-pavarësisë Junts.
Partia Popullore mbrojti qëndrimin se kriza duhet të trajtohet përmes ndërtimit të më shumë banesave dhe jo përmes rregullimeve të miratuara me dekrete.
Zemërimi publik u shtua edhe pas dëbimit të Maricarmen Abascal, një grua 87-vjeçare me aftësi të kufizuara, nga banesa ku kishte jetuar për rreth 70 vjet.
Fondi i investimeve që kishte blerë apartamentin, sipas raportimeve, kërkoi rritjen e qirasë me 230%. E moshuara deklaroi se nuk kishte mundësi ta përballonte këtë shumë.
Historia e Abascal është shndërruar në një nga simbolet e protestave kundër rritjes së kostos së banesave.
Në kryeqytet, protestuesit kundërshtuan rritjen e fitimeve të kompanive të lidhura me tregun e banesave dhe kërkuan masa më të forta për ndalimin e rritjes së qirave.
Pjesa më e madhe e tubimeve u zhvillua në mënyrë paqësore, por në Valencia pati përleshje mes demonstruesve dhe policisë. Për shpërndarjen e turmës, forcat e rendit përdorën plumba gome dhe gaz lotsjellës. Rreth 30 persona hynë përkohësisht në kompleksin “Qyteti i Artit dhe Shkencës”, përpara se policia t’i nxirrte prej andej.
Protestat vijnë në një periudhë delikate për qeverinë e Sánchez. Mediat spanjolle kanë raportuar se kryeministri mund të marrë në konsideratë edhe zgjedhjet e parakohshme në nëntor, pas dështimit të paketës për strehimin.
