E papritur! Arrestohet ish-konkurenti i BBV, ja se pse akuzohet

Prokuroria e Korçës ka hedhur sot një hap të rëndësishëm në çështjen e Elton Tozaj, ish-konkurent i “Big Brother”. Zyra ka kërkuar zyrtarisht masën e sigurisë “arrest me burg” për Tozajn pas akuzave për mashtrim.

“Kurthin” ish-banori i BB ia ngriti një familje në Boboshticë, e cila kishte një restorant, ku ai kishte qenë klient për disa vite. Duke pretenduar lidhjet brenda ministrisë dhe bashkisë që lehtësonin pjesëmarrjen në tender, Tozaj e bindi pronarin e restorantit që të merrte pjesë në tender. Megjithatë, Tozaj ka kërkuar si parakusht për tenderin një “iPhone Pro Max”, një laptop “iMac” dhe një shumë parash.

Pasi pronari i restorantit ka siguruar këto sende dhe para, Tozaj thuhet se është zhdukur.

Ky incident i shtohet historisë së Tozajt me ligjin. Ai ka qenë i dënuar më parë disa herë, duke përfshirë një dënim me 3 muaj burg në 2008, një dënim me 4 vjet në 2016 dhe një gjobë në 2017, të gjitha lidhur me akuzat për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.

Rasti nënvizon shqetësimet e vazhdueshme për praktikat mashtruese dhe nënvizon pasojat ligjore me të cilat përballen individët e përfshirë në aktivitete të tilla.

AKUZAT:

Kreditë e buta

Gëzimi për krijimin e mundësisë së blerjes së një shtëpie i shtetases M.P., e cila punonte si pastruese në një kompani private, ka përfshirë edhe një kontabiliste dhe drejtoreshën e shitjeve të kësaj kompanie. Pastruesja u ka thënë se një mik i saj, i quajtur Elton Tozaj, punonte në Ministrinë e Brendshme dhe ishte përgjegjës i një projekti për dhënien e apartamenteve me kredi të butë për punonjësit e Ministrisë së Brendshme. Sipas saj, 10 nga përfituesit do të përzgjidheshin nga Tozaj.

Nga hetimet e kryera, rezulton se i pandehuri nëpërmjet mashtrimit, në rast të përsëritur, gjatë periudhës maj-qershor 2016, i ka marrë një shumë prej 650 mijë lekësh të dëmtuarës B.L. dhe shumën 300 mijë lekë të dëmtuarës E.H. Gjithashtu, ai ka mashtruar edhe shtetasen M.P., duke u marrë dy prej tyre shumën nga 60 mijë lekë dhe të tretës 70 mijë lekë. Për t’u bërë i besueshëm, u ka dhënë të dëmtuarave edhe dokumente me stemë dhe vulë të Ministrisë së Brendshme, si dhe nënshkrim të ministrit Saimir Tahiri, sipas të cilave është miratuar dhënia e kredisë së butë për marrje apartamentesh.

Takimi te kryeministria

Referuar vendimit, në 6 qershor, rreth orës 08:30, Eltoni e ka marrë në telefon dhe i ka kërkuar të paguante 200 mijë lekë, si dhe dy këste kredie në total 24.000 dhe 6000 lekë siguracion jete. Pasi siguroi paratë, po këtë datë së bashku me bashkëshortin G.B. kanë shkuar përballë dy Kullave Binjake, në afërsi të Kryeministrisë. Aty takuan Eltonin dhe pasi u prezantuan, i dhanë shumën prej 230 mijë lekësh. I pandehuri Elton Tozaj u dha brenda një zarfi shkresën që figuronte e nënshkruar nga ministri, që, sipas tij, ishte fotokopje me ngjyra, pasi origjinali ndodhej në protokollin e Ministrisë së Brendshme.

Pasi u larguan dhe hapën zarfin, G.B., ka dyshuar se ajo mund të ishte e falsifikuar. Në të njëjtën ditë, bashkë me bashkëshorten ai ka takuar Tozajn në një lokal në Rrugën e Kavajës. Tozaj i është prezantuar si këshilltar i ministrit të Brendshëm dhe këshilltar i jashtëm i kryetarit të Bashkisë Tiranë. Katër ditë më vonë, Tozaj u ka telefonuar dhe i ka kërkuar që duhej të paguante dhe 150 mijë lekë për siguracion. Duke pasur disa dyshime, G.B. i kërkoi që t’i kthente paratë, por ai nuk pranoi. Kanë biseduar përsëri, por ai i ka gënjyer për kredinë dhe banesën. Më datë 15.06.2016, ky shtetas ka lëshuar një deklaratë noteriale për njohje detyrimi, ku ka pranuar se i ka marrë shtetases B.L. 650 mijë lekë. Të njëjtat fakte rezultojnë edhe nga kallëzimi i shtetases E.H.

Vila e Enverit

Sipas vendimit, biznesmeni K.L., administrator i një shoqërie tregtare, ka kallë- zuar Tozajn për marrjen e një sasie të hollash në shumën 7 mijë dollarë amerikanë, 35 mijë lekë dhe 5 mijë euro, për të marrë me qira ambientin e njohur si “Vila 31”, në zonën e ish-Bllokut, Tiranë. Kjo shumë i është marrë me pretendimin se do t’i siguronte me qira ambientin e njohur si “Vila 31”, me sipërfaqe prej 1250 m², kundrejt vlerës 3 dollarë për çdo m². Ky objekt është në pronësi të shtetit dhe për të vijuar procedurën, kallë- zuesi, duke i besuar shtetasit Elton Tozaj, e ka autorizuar atë me një prokurë për të ndjekur të gjitha procedurat ligjore pranë institucioneve shtetërore, me qëllim marrjen e objektit me qira. Fillimisht i pandehuri Elton Tozaj e ka shoqëruar kallëzuesin që të shohë objektin.

Pas bërjes së prokurës, i pandehuri i ka paraqitur kallëzuesit disa dokumente, me qëllim që kallë- zuesi t’i kalonte në bankë disa shuma të hollash që do të përdoreshin sipas tij për mbylljen e praktikës. Në periudhën gusht-shtator 2015, kallëzuesi K.L. ka kontaktuar me të pandehurin Elton Tozaj dhe duke qenë se ishin vonuar procedurat e marrjes së ambientit me qira, i ka thënë Eltonit se po e mashtronte, veprim për të cilin është bindur kur ka shkuar vetë në ambientet e objektit “Vila 31” dhe rojat e sigurisë i kanë thënë se nuk kishte të drejtë të qëndronte në këto ambiente. Kallëzuesi ka shpjeguar se krahas shumave të dhëna të pandehurit për procedurat e qirasë së objektit, i ka dhënë edhe sasi të tjera të hollash, të cilat ia ka kthyer babai i të pandehurit Elton Tozaj, shtetasi M.Tozaj, por pa specifikuar se çfarë shume i është kthyer.


Shtuar 27.06.2024 16:45

Tags: