Aksidenti fatal i mori jetën reperit grek, modelja i jep lamtumirën partnerit

Mad Clip, reperi i njohur me origjinë greke, dy ditë më parë ka ndërruar jetë pas një aksidenti automobilistik në Vouliagmeni, Athinë. Makina “Porsche” që po ngiste, devijoi nga rruga dhe u përplas në një shtyllë.

Përplasja ishte shumë e fortë pasi mjeti u shkatërrua plotësisht dhe madje grupit hetimor iu desh kohë të zbulonte që viktima ishte reperi, emri i vërtetë i të cilit është Peter Anastasopoulos. Mediat fqinje raportojnë se shërbimet zjarrfikëse u përpoqën me orë të tëra për të nxjerrë trupin nga automjeti.

Lajmi për vdekjen e tij i ka trishtuar të gjithë miqtë, bashkëpunëtorët dhe fansat e artistit.
Së fundmi, partnerja e tij, modelja e njohur Anna Maria Iliadou, i tha lamtumirën e hidhur Mad Clip-it përmes një postimi në Instagram.

Ajo shkroi në një sfond të zi shkroi “RIP Mad” duke vënë pranë një pëllumbi të bardhë dhe një zemër të thyer, që tregon gjithë dhimbjen e madhe që ajo ndjen në këto momente.

Kujtojmë se Mad Clip po kthehej në shtëpi nga dasma e mikut të tij, Giorgos Benioudakis, por pas largimit ai u aksidentua për vdekje. Mediat greke kanë zbuluar se në këtë event Mad Clip ka kënduar bashkë me këngëtaren e famshme me origjinë shqiptare, Eleni Foureira.


Shtuar 5.09.2021 11:22