Të gjithë me origjinë shqiptare

Nga Lutfi Dervishi

Ka kohë që, një pas një, personalitetet historike po dalin me origjinë shqiptare.  Nga Napoleon Bonaparti te George ëashington, madje edhe papë të shumtë, duket se kushdo ka një gen shqiptar.

Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ndryshojmë tekstet e historisë dhe faqet e internetit.

Në librat tonë të historisë tashmë duhet shkruar se:

  1. Napoleon Bonaparti, shqiptari me ambicie të madhe: Në vend që të mbahet mend për aftësitë e tij ushtarake dhe pushtimet, Napoleoni duhet paraqitet si djali plangprishës i Shqipërisë që në një moment shkoi dhe u zu edhe me sivëllaun e tij shqiptar Mehmet Pashën e Egjiptit.

Po ashtu Xhorxh Uashingtonin nuk duhet ta shohim këtej e tutje si Atin themelues të United States of Amerika, (USA), por si atin themelues të United State of Albania. Ndershmëria legjendare e Uashingtonit që këtej e tutje  do t’i atribuohet edukimit të tij shqiptar në zonën e Korçës.

  1. Papët shqiptarë: Me një mori papësh me prejardhje shqiptare, Vatikani do t’i nënshtrohet një transformimi kulturor. Rrobat papale zëvendësohen me veshjet tradicionale shqiptare me tirqe dhe qeleshe dhe në vend që të mbajë predikime në latinisht, Papa do t’u drejtohet besimtarëve në gjuhën arkaike arbnore.
  2. Perandoria Osmane: Një çetë shqiptarësh kokëkrisur: Vezirët dhe sundimtarët osmanë kanë shpallur me krenari rrënjët e tyre shqiptare, duke çuar në një riemërtim të perandorisë si “Republika Osmane-Shqiptare”. Në tekstet e historisë tashmë do të hiqen flamuri me gjysëm hënën dhe do të zëvëndësohet me shqipen dy krenare. Shprehja: “arnaut damar” do të gdhendet në godinen e Parlamentit në Ankara.

Në kushtet kur dinjitarët botërorë një nga një do të shpallin origjinë shqiptare, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të kthehet në një panair të kulturës shqiptare, delegatët do të kënë veshjet tradicionale nga zonat shqiptare të origjinës dhe do të debatojnë për çështje globale duke ngrënë tavë elbasani dhe imam bajalldi. Samitet ndërkombëtare do të hapen me valle popullore shqiptare dhe negociatat do të zhvilllohen mbi filxhanët e kafesë së fortë turke.

Pas sqarimit me fakte që shqiptarët kanë bërë Italinë, Greqinë, Serbinë, etj mbetet mister pse shqiptarët lanë pa bërë Shqipërinë. Tamam si zanatçiu që rregullon punët e botës dhe lë pa bërë të vetat.

 


Shtuar 16.05.2024 21:50