Sot Kadare kreu aktin e fundit sublim, shpalli pavarësinë e kulturës nga politika

Nga; Artan Fuga

Në këtë ditë të fundit që trupi i tij është edhe pak orë mes nesh, ndodhi ajo që pritej, u shfaq dora e fundit që ai na jep për t’u emancipuar!

Komunistë e lavdërojnë sepse e thjeshtojnë atë që ai krijoi te idealet e tyre. Antikokomunistë që e lavdërojnë me po aq zjarr, sepse ai i dha goditje mitit të një stalinizmi që nuk kishte të bënte me shqiptarët.

Por, po ndodh edhe më tej: Komunistë hedhin gurin mbi të sepse ai nuk i qëndroi besnik idealeve të tyre. Antikomunistë që vjellin vrer sepse e quajnë në shërbim të komunizmit!

E gjitha kjo jehonë, zhurmë, kjo qarje-qeshje, ky trishtim – gëzim, ky vlerësim – baltosje vërtetoi në ditën e fundit kur Ai është edhe pak trup-midis-nesh se letërsia e Tij nuk mund të gjykohet politikisht, se kultura që Ai derdhi mbi mendjen e këtij kombi nuk mund të jetë e gjykueshme politikisht, apo sikurse thuhet se letërsia dhe arti i tij nuk mund të reduktohet te politika.

Politikisht kultura nuk mund të kuptohet!

Edhe ditën e fundit, pa folur, sikurse dukej se nuk mund të fliste prej kohësh, Ai prodhoi aktin sublim të shprehjes madhore:

Pavarësinë e kulturës nga politika! Ai nuk mund të gjykohet politikisht.

Shteti ynë para së gjithash duhet t’i kërkojë falje. Ky është nderimi më i madh që mund t’i bëjë. Në dekada të tëra ai kishte pasur të drejtë ndaj shtetit. Por, shteti kishte forcën fizike mbi të. Por, vetëm kaq ama!

Forca publike për dekada me radhë të jetës së tij e dhunoi psikologjikisht, makina propagandistike deshte ta bënte robin e vet, por nuk ja doli dot, lloj-lloj veprimesh tinzare kanë dashur t’i dërmojnë gjeninë krijuese, qarkullime, përgjime,kanosje, emërime, letra anonime, kërcërnime.

Ai sapo iu dha mundësia nuk deshi më të përzjehej me politikën!

Sot pa folur, i ftohtë, me atë që po ndodh, Ai kreu aktin e fundit sublim !

Shpalli pavarësinë e kulturës ndaj politikës, papajtueshmërinë e gjykimit politik me krijimin letrar dhe kulturor, artistik, lirinë e intelektualit për të qenë përtej burokracisë!

Ai përsëri u ngrit lart, i pakuptueshëm!