Profesori universitar Bashkim Ziberi ishte i ftuar në emisionin PodGo të Telegrafi Maqedoni, ku foli për gjendjen e arsimit në vend, përdorimin e Inteligjencës Artificiale në mësimdhënie dhe rezultatet e testimit PISA, të publikuara së fundmi.
Të lidhura
None found
Sipas tij, rezultatet e PISA-s për Maqedoninë e Veriut nuk janë të papritura, por pasqyrojnë punën e përditshme në sistemin arsimor. Ziberi vlerësoi se ligjet janë të mira, ndërsa problemi kryesor mbetet zbatimi i tyre.
“Rezultatet e PISA-s janë të pritshme, sepse ato tregojnë realitetin e punës sonë të përditshme. Për dy ose tri ditë do të diskutohen, më pas do të harrohen dhe debati do të rikthehet te temat e vjetra, si mungesa e librave dhe problemet e sistemit arsimor. Kjo situatë është pasojë e një sistemi që vazhdon të ndërtohet, ndërsa në të ndërthuren interesa individuale, klanore dhe partiake. Në dokumente shkruajmë gjithçka, por ngecim te zbatimi. Një problem tjetër është se me çdo ndryshim pushteti gjithçka nis nga e para dhe mungon vazhdimësia”, deklaroi Ziberi.
Duke folur për Inteligjencën Artificiale në arsim, profesori theksoi se mësimdhënësit nuk janë ende të përgatitur sa duhet për t’u përballur me këtë sfidë.
Ai nënvizoi se nxënësit duhet të orientohen për të gjetur veten në profesion dhe të kuptojnë se mundësitë e tyre janë më të mëdha nga sa u paraqiten nga mësimdhënësit. Sipas Ziberit, lëndët e shkencave të natyrës zhvillohen në mënyrë tepër teorike dhe të thatë, ndërsa nevojiten më shumë përmbajtje praktike, veçanërisht pasi në shumë shkolla mungojnë laboratorët.
“Stafi mësimor nuk është i përgatitur përballë nxënësve që përdorin Inteligjencën Artificiale. Megjithatë, duhet treguar kujdes që përdorimi i IA-së nga nxënësit dhe studentët të minimizohet, ndërsa ata duhet të nxiten më shumë të mësojnë dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre”, u shpreh Ziberi./Telegrafi/
