VLEN njofton se kanë filluar zyrtarisht përgatitjet për zbatimin e investimit prej 74 milionë eurosh në Spitalin Klinik të Tetovës. Sipas këtij koalicioni, bëhet fjalë për projektin më të madh dhe më të rëndësishëm në historinë e institucionit shëndetësor.
Të lidhura
None found
Nga VLEN deklarojnë se ky investim është një tjetër tregues se angazhimi i tyre si partner në qeveri mbështetet te politikat që prodhojnë rezultate konkrete dhe jo te fjalët boshe.
Sipas tyre, projekti milionësh nuk përfaqëson vetëm një vlerë rekord, por krijon siguri se banorët e Tetovës dhe të rajonit të Pollogut do të përfitojnë shërbime shëndetësore më cilësore, më të sigurta dhe më efikase, pa pasur nevojë të kërkojnë trajtim jashtë vendit.
VLEN vlerëson se me këtë projekt po dëshmon se qeverisja e përgjegjshme matet përmes nismave që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Koalicioni thekson se, falë përkushtimit të tij, Spitali Klinik po nis një etapë të re zhvillimi, ndërsa vitet e stagnimit dhe neglizhencës po zëvendësohen me investime historike.
Koalicioni shprehet se do të vazhdojë angazhimin, nëpërmjet punës konkrete dhe investimeve strategjike, për ndërtimin e institucioneve që janë në shërbim të qytetarëve dhe për garantimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.
“Spitali i Tetovës po bëhet. Për dy vite rezultatet duken, për 20 vite pati vetëm premtime. VLEN sjell investime historike”, thonë nga VLEN.
