Policia ka arrestuar tre persona në zonën kufitare të Bllacës gjatë mbrëmjes së 31 korrikut, pasi ata u gjetën duke ngarkuar mallra që dyshohet se ishin futur ilegalisht nga Kosova.
Të lidhura
None found
Ndërhyrja u krye rreth orës 23:00 në vijën kufitare mes fshatit Bllacë dhe Hanit të Elezit. Nëpunësit e Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare – Veri po vepronin sipas një plani operativ për zbulimin dhe parandalimin e kontrabandës.
Në vendin e ngjarjes u privuan nga liria N.B. (27), H.B. (26) dhe E.Xh. (21), që të tre banues në fshatin Bllacë.
Sipas njoftimit të policisë, të dyshuarit u kapën në flagrancë teksa vendosnin mallin e kontrabanduar në një automjet transportues “Mercedes Vito” me targa të Shkupit, si dhe në një veturë “Hyundai” pa targa.
Malli dhe të dyja automjetet u sekuestruan, ndërkohë që për ngjarjen u informua prokurori publik. Pas përfundimit të dokumentimit të çështjes, ndaj tre të dyshuarve do të paraqiten kallëzimet përkatëse.
