Gjatë gërmimeve në zonën e Kalludrës në Zubin Potok, janë gjetur mbetje të reja mortore, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti, duke shtuar se operacioni i kërkimit do të shtrihet në javët dhe muajt në vijim.
Të lidhura
None found
Duke folur nga vendi i ngjarjes, Kurti tha se teksa ndodhej aty, ekipet zbuluan edhe disa kafka shtesë, pasi gërmimet janë ende duke u zhvilluar.
Ai sqaroi se eshtrat janë gjetur të hallakatura buzë një përroi, çfarë e ndërlikon mjaft procesin e nxjerrjes dhe njohjes së tyre.
Sipas tij, ka shumë mundësi që përroi, i cili gjatë pranverës fryhet, t’i ketë spostuar trupat, edhe pse ata mund të kenë qenë varrosur fillimisht në të njëjtin vend.
Përcaktimi i identitetit do të bëhet vetëm pas testeve të ADN-së, ndërkohë që dyshohet se mbetjet mund t’i përkasin 23 intelektualëve shqiptarë të rrëmbyer dhe ekzekutuar në prill të vitit 1999.
Kurti paralajmëroi se gërmimet do të vazhdojnë për shumë javë, ndoshta edhe muaj, për shkak se eshtrat e shpërndara gjenden në afërsi të një përroi që në stinën e pranverës bëhet i fuqishëm dhe mund t’i ketë zhvendosur trupat nga vendi i varrimit.
Në fjalën e tij, ai trajtoi edhe çështjet gjyqësore lidhur me krimet e luftës, duke fajësuar Serbinë për ndalimin e personave që kanë ofruar të dhëna mbi këto krime.
Në fund, ai falënderoi specialistët e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të EULEX-it për angazhimin në terren, duke theksuar se institucionet kosovare do të ofrojnë mbështetje të plotë deri në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.
