Të shtëna me armë zjarri drejt kryetarit të komunës së Haraçinës, plagosen dy persona

Mesditën e sotme, të shtëna me armë zjarri janë regjistruar  në Komunën e Haraçinës në Maqedoninë e Veriut, ndërsa shënjestër ka qenë kryetari i kësaj komune.

Të shtënat me kallashnikov në drejtim të kryetarit të Haraçinës, Ridvan Ibraimi, kanë ndodhur në momentin kur ky i fundit – i shoqëruar me tre-katër persona, kishte dalë për të inspektuar punimet e bekatonizimit të trotuarit në rrugën kryesore që të shpie për në sheshin e Haraçinës, shkruan gazeta KOHA.

Dy të lënduarit, Eshtref S. dhe Advan. A (djali i shoferit të kryetarit Ibrahimi) i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike – i parti në Spitalin “Shën Naumi i Ohrit”, ndërsa i dyti në Klinikën “Nëna Terezë” në Shkup. Që të dy në Haraçinë njihen për djem të urtë, të respektueshëm dhe familjarë.

Se Ibraimi ka qenë cak i sulmit, e ka konfirmuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. “Cak i sulmit të armatosur sot në Haraçinë ka qenë kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi. Nga shkëmbimi i zjarrit është plagosur djali i shoferit të tij, i cili momentalisht i është nënshkruar ndërhyrjes kirurgjike në kompleksin klinik ‘Nënë Tereza’. Ndërkohë që 39-vjeçari E.S., i plagosur në kraharor, po kurohet në spitalin ‘Shën Naumi i Ohrit’ në Shkup”, ka thënë Toshkovski për mediat.

Në ndërkohë, banorë të Haraçinës të cilët kanë qenë në vendngjarje kur ndodhën gjuajtjet, thonë për gazetën KOHA se bëhet fjalë për persona e njëjtë, të cilët vitin e kaluar, të armatosur ishin furu dhunshëm në zyrat e komunës dhe e kishin rrahur kryetarin Ridvan Ibraimi. Gjatë tërë ditës, Haraçina ka qenë e bllokuar nga patrulla të shumta policore, ndërsa kërkimi i autorëve të incidentit të armatosur janë kërkuar edhe nga ajri – me helikopterë policor. /koha.mk/