Shkollat e Tetovës kanë regjistruar këtë vit gjithsej 20 nxënës më pak krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, të dhënat tregojnë dy realitete të kundërta: në Malësinë e Tetovës numri i fëmijëve vazhdon të pakësohet, ndërsa në shkollat e qytetit po rritet.
Të lidhura
None found
Sektori për Arsim pranë Komunës së Tetovës njofton se në shkollën fillore “Kirili dhe Metodi” janë formuar tri klasa të para. Prej disa vitesh kërkohet hapja e një paraleleje shtesë, por organet kompetente ende nuk kanë dhënë miratimin.
Valedin Ademi nga Sektori për Arsim deklaroi se institucioni posedon shkollën e mesme dhe Shkollën Fillore Komunale “Kirili dhe Metodi”, ku klasat janë pothuajse të mbushura dhe numri i nxënësve në secilën prej tyre i afrohet shifrës 30. Sipas tij, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës i është kërkuar vazhdimisht pëlqim për krijimin e një paraleleje të re, por deri tani nuk ka mbërritur asnjë njoftim zyrtar.
Drejtoresha e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” konfirmoi se tri klasat e para kanë nga 30 nxënës. Ajo rikujtoi se kërkesa të njëjta ishin paraqitur edhe pesë vjet më parë, por mosmiratimi i tyre ka bërë që klasat e pesta sot të numërojnë mbi 30 nxënës, duke e vështirësuar ndjeshëm zhvillimin e mësimit.
Drejtoresha e SH.F. “Kirili dhe Metodi”, Sihana Kaba Kasami, tha se janë regjistruar rreth 82 nxënës, të ndarë në tri paralele me nga 29-30 nxënës secila. Ajo bëri të ditur se kërkesë ishte dërguar edhe në vitin 2022-2023, kur shkolla kishte afërsisht 120 nxënës të shpërndarë në tri paralele, ose rreth 40 në secilën. Pavarësisht kërkesave të përsëritura drejtuar Ministrisë së Arsimit, pëlqimi nuk ishte dhënë dhe ajo gjeneratë vazhdon të ketë edhe sot nga 36-37 nxënës në klasë.
Në zonat malore gjendja është krejt tjetër. Shkolla në fshatin Veshallë është mbyllur, pasi këtë vit shkollor nuk u regjistrua asnjë nxënës. Në Bozofcë ka vetëm tre nxënës, në klasën e parë në Shipkovicë janë 10, ndërsa në Brdec numërohen vetëm pesë.
Shkollat e Malësisë së Tetovës vazhdojnë të funksionojnë vetëm falë statusit të “shkollave të mbrojtura”, ndërkohë që në qytet klasat e mbingarkuara kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme administrative. /rtm2
