Shkupi nënshkruan marrëveshje me BERZH-in për ndërtimin e kalimit të përbashkët hekurudhor me Serbinë

Maqedonia e Veriut ka nënshkruar një marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për një grant investimesh prej 2.4 milionë eurosh, që do të përdoren për ndërtimin e kalimit të përbashkët hekurudhor në pikën kufitare të Tabanovcës, që lidh vendin me Serbinë.

Marrëveshja u nënshkrua të mërkurën, më 5 mars, nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikoloski, dhe shefi i zyrës së BERZH-it në Shkup, Fatih Turkmenoglu.

Projekti është pjesë e një pakete investimesh prej 7.6 milionë eurosh për krijimin e një pikëkalimi të përbashkët kufitar, që synon “përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe pasagjerëve mes dy vendeve”.

Në kuadër të këtij projekti, BERZH-i paraprakisht miratoi një kredi prej 5 milionë eurosh dhe një grant prej 250.000 eurosh.

“Në këtë mënyrë do të përmirësojmë komunikimin midis dy shteteve sepse do të kemi ‘one stop shop’ [kontroll i përbashkët kufitar] edhe në pjesën hekurudhore, kur udhëtohet me tren. Shpresoj se kjo do të jetë një hyrje për rivendosjen e linjës së rregullt hekurudhore të udhëtarëve midis Shkupit dhe Beogradit, për të cilën padyshim janë të nevojshme përpjekje nga të dyja palët. Bëhet fjalë për një projekt me vlerë totale prej 7.4 milionë euro në pjesën ndërtimore dhe 250.000 euro në pjesën e shërbimeve konsultative dhe mbikëqyrjes”, tha ministri Nikoloski.

Projekti parashikon ndërtimin e një ndërtese të re të përbashkët për shërbimet kufitare, doganore dhe inspektuese të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe rinovimin e objekteve ekzistuese në Tabanovcë. Gjithashtu, do të ndërtohet infrastrukturë e re rrugore dhe komunale.

Ndërtimi pritet të nisë këtë vit, pas përzgjedhjes së kontraktorit, dhe të përfundojë brenda dy vjetësh. Linja hekurudhore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë është pjesë e Korridorit 10, që lidhet me zgjerimin e Rrjetit të Transportit Trans-Evropian (TEN-T) në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, tha se me këto investime, BE-ja po mbështet drejtpërdrejt përpjekjet për të përmirësuar sistemin hekurudhor të Korridorit 10 dhe për të përmirësuar lidhjet rajonale.

Shefi i BERZH-it, Fatih Turkmenoglu, tha se ky projekt është dëshmi “e mbështetjes së vazhdueshme të Bankës Evropiane për përmirësimin e infrastrukturës së vendit”, duke e cilësuar atë si “një investim kyç për nxitjen e rritjes rajonale dhe forcimin e lidhjeve hekurudhore në Ballkanin Perëndimor”./REL


Shtuar 5.03.2025 18:20

Tags: , ,