Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut pret një takim të rëndësishëm ndërrajonal të titullarëve të negociatave dhe zyrtarëve të lartë përgjegjës për çështjet evropiane, organizuar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali. Në këtë ngjarje marrin pjesë delegacione nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, së bashku me zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë.
Të lidhura
None found
Temat qendrore të diskutimeve përfshijnë perspektivën e zgjerimit të BE-së, Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare dhe përshpejtimin e harmonizimit me acquis communautaire nëpërmjet një bashkëpunimi më të ngushtë midis ekzekutivëve dhe legjislativëve.
Në fjalën e tij, ministri Sali e cilësoi zgjerimin si një investim strategjik për sigurinë, qëndrueshmërinë dhe mirëqenien e kontinentit. Ai theksoi se angazhimi për transformimet e brendshme kërkon një proces anëtarësimi të besueshëm dhe të parashikueshëm, ku avancimi matet në bazë të performancës individuale.
Një theks i veçantë iu kushtua konceptit të integrimit gradual dhe përfitimeve konkrete që qytetarët dhe sipërmarrjet mund të kenë gjatë rrugëtimit drejt BE-së, përpara aderimit formal. Në këtë kontekst, Korniza e ardhshme Financiare Shumëvjeçare u identifikua si një instrument kyç për të nxitur reformat, konsolidimin institucional dhe konvergjencën ekonomike.
Gjithashtu, pjesëmarrësit analizuan funksionin e parlamenteve në rrugën integruese, domosdoshmërinë e një bashkërendimi të hershëm në hartimin e legjislacionit dhe peshën e kontrollit parlamentar mbi cilësinë dhe implementimin e reformave.
Synimi i takimit është thellimi i shkëmbimit të praktikave më të mira dhe bashkëpunimit operacional midis institucioneve që drejtojnë procesin e integrimit, si dhe evidentimi i sferave për një partneritet të zgjeruar ndërrajonal.
Ministri Sali shprehu falënderime për të gjithë të pranishmit dhe partnerët, duke veçuar mbështetjen e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë dhe GIZ-it për realizimin e këtij takimi dhe përkrahjen e tyre të palëkundur në rrugëtimin evropian.
