Seanca e radhës për rastin “Onkologjia” vijoi sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, ku Prokuroria kundërshtoi përfundimet e ekspertit të mbrojtjes, Vlladimir Danillovski, lidhur me terapitë e përdorura te pacientët me sëmundje onkologjike.
Të lidhura
None found
Gjatë procesit ndaj ish-drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev, dhe dy mjekëve onkologë, të akuzuar për trajtim neglizhent të pacientëve, prokurorët e pyetën ekspertin për dozat, terapitë dhe rastet konkrete të trajtimit. Danillovski ka deklaruar në akt-ekspertizën e tij se trajtimet janë administruar në përputhje me protokollet evropiane, duke e paraqitur këtë si pjesë të argumentimit të ekspertizës së tij.
Në pjesën më të madhe të përgjigjeve, eksperti këmbënguli se bëhej fjalë për çështje të fushës së onkologjisë dhe se mbështeste opinionin e dhënë në ekspertizë, si edhe sqarimet e tij gjatë seancës.
Duke folur për një pacient të caktuar, Danillovski deklaroi se terapia e aplikuar kishte sjellë një periudhë kontrolli dhe mbijetese prej 38 muajsh. Sipas tij, për një gjendje të tillë, mbijetesa mesatare me terapi moderne sistemike varion nga 16 deri në 24 muaj.
Pyetjes nëse kishte dijeni se ku në botë janë përdorur citostatikët për trajtimin e kancerit të mëlçisë gjatë 30 viteve të fundit, eksperti iu përgjigj: “Jo, nuk jam në dijeni të kësaj”.
Sa i përket toksicitetit të terapisë së kombinuar, ai tha se efektet anësore duhet të konfirmohen përmes analizave toksikologjike, parametrave laboratorikë ose evidentimit të dëmtimeve të organeve. “Çdo ilaç ka efekte anësore, jo vetëm ilaçet onkologjike”, theksoi Danillovski.
Prokuroria kërkoi gjithashtu që eksperti të përcaktojë protokollet zyrtare mbi të cilat ka mbështetur përfundimin se terapia specifike e përdorur ka qenë e saktë.
“Ky ekspert, nëse shihni prezantimin e tij, jep konkluzione, por nuk tregon se nga i nxjerr ato. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme që ai të përgjigjet”, deklaroi prokurori./Telegrafi/
