Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë një vlerësim negativ për aktivitetin e NP “Higjiena Komunale – Shkup” gjatë vitit 2024, duke evidentuar një sërë shkeljesh në aspektin financiar dhe administrativ.
Të lidhura
None found
Raporti i revizorëve tregon se kompania përballet me një barrë borxhi prej gati 12 milionë eurosh, ndërsa mbi 2 milionë euro përfaqësojnë kërkesa me arkëtim të pasigurt. Gjithashtu, janë gjetur pasuri të paevidentuara, vlera e të cilave arrin rreth 472 mijë euro.
Një situatë kritike paraqitet edhe në gjendjen e flotës së automjeteve. Prej 189 mjeteve që zotëron ndërmarrja, vetëm 76 janë funksionale, çka do të thotë se afërsisht 60 për qind e tyre janë jashtë përdorimit. Po ashtu, gjatë vitit të kaluar, përmes agjencive private u angazhuan 354 punëtorë me një kosto mbi 3 milionë euro.
Ndër problematikat e tjera të theksuara janë edhe humbjet financiare, likuiditeti i ulët dhe çrregullimet në sistemin e llogaritjes së pagave. Sipas vlerësimit të revizorëve, kjo situatë vë në rrezik cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe kërkon masa urgjente për konsolidimin financiar si dhe modernizimin e ndërmarrjes.
