Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) bëri të ditur se deri në orën 13:00 në Maqedoni janë evidentuar 16 zjarre në hapësira të hapura. Prej tyre, nëntë mbeten aktive, katër janë vënë nën kontroll, ndërsa tre janë shuar.
Të lidhura
None found
Sipas raportit të QMK-së, vatra aktive janë evidentuar në hapësirën ndërmjet fshatrave Burinec, Lokovë, Sellcë dhe Elevci në Komunën e Strugës, pranë fshatit Belicë në Komunën e Makedonski Brod, si dhe pranë fshatit Bence në të njëjtën komunë. Zjarr është raportuar edhe në zonën e fshatit Knezino, në lokalitetin Cërn Kamen, në rajonin e Kërçovës.
Ndërkohë, zjarre aktive janë shënuar pranë fshatit Gajre në rajonin e Tetovës, në territorin e fshatit Pallaticë në Komunën e Zhelinës, pranë fshatrave Peçkovo dhe Padalishte në rajonin e Gostivarit, si dhe pranë fshatit Dolgaec në Komunën e Dollnenit.
Nën kontroll janë vënë zjarret pranë fshatit Tajmishte në rajonin e Kërçovës, pranë fshatit Kopanicë në Komunën e Sarajit, në deponinë e qytetit në Dellçevë dhe pranë fshatit Brest, në lokalitetin Ramno, në Komunën e Çuçer-Sandevës./Telegrafi/
