Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka hapur procedurë ndaj katër banorëve të fshatit Dobërdoll, në Komunën e Vrapçishtit, pas kallëzimit penal të paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ata dyshohen se kanë konsumuar veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, të parashikuar nga neni 288, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Të lidhura
None found
Prokuroria bën të ditur se ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e 31 korrikut, gjatë një ahengu familjar të organizuar në oborrin e një shtëpie në fshat. Të dyshuarit pretendohet se kanë qëlluar në ajër me tre pistoleta dhe një pushkë, marka dhe kalibri i së cilës nuk dihen.
Si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit, është vënë në rrezik jeta e shumë personave që merrnin pjesë në dasmë.
Për shkak të rrethanave që sinjalizojnë mundësi arratisjeje për secilin prej tyre, prokurori publik i ka kërkuar gjykatësit të procedurës paraprake në Gostivar që të caktojë masën e paraburgimit ndaj të katër të dyshuarve. Njëri prej tyre, krahas shtetësisë së Maqedonisë së Veriut, ka edhe shtetësi sllovene.
