Rritja e prodhimit të mollëve këtë vit, krahasuar me vitet e mëparshme, nuk është shoqëruar me të ardhura të kënaqshme për fermerët në Maqedoni. Kultivuesit përballen me çmime shumë të ulëta blerjeje, shpenzime të larta prodhimi dhe vështirësi të mëdha për të gjetur treg.
Amet Ismaili, i cili prej vitesh kultivon mollë në Sellarcë të Tetovës, shpjegon se sasia e prodhuar në vend tejkalon nevojat e konsumit. Sipas tij, temperaturat më të ngrohta gjatë verës dhe mungesa e dështimeve e kanë bërë këtë vit më cilësorin, me prodhim më të bollshëm se në vitet e tjera.
Të lidhura
None found
Ismaili thekson se tregtimi në Maqedoni vështirësohet kur prodhimi është i madh dhe mollët nuk eksportohen. Teprica në treg sjell automatikisht uljen e çmimit, deri në atë pikë sa shitja nuk mbulon kostot e prodhimit me çmimet që ofrohen aktualisht.
Një tjetër pengesë, sipas kultivuesit, është mungesa e depove për ruajtjen e mollëve. Ai i kërkon shtetit, përkatësisht Ministrisë së Bujqësisë, të shtojë investimet në hapësirat e magazinimit dhe në paketimin e prodhimit, pasi vendi ka nevojë për to.
Pa blerje me shumicë, sasi të mëdha mollësh përfundojnë të kalbura. Kjo gjendje, së bashku me çmimin e ulët të blerjes, bën që shumica e kultivuesve të heqin dorë nga kultivimi i mollëve. /Alsat.mk







