Njoftimi i Ministres së Arsimit se gjatë këtij viti shkollor në klasën e parë do të regjistrohen të paktën 3.000 nxënës më pak përbën kritikën më të fortë ndaj politikave të Qeverisë, vlerëson PLD-ja. Sipas partisë, ky tregues nuk është thjesht statistikë, por një sinjal alarmi se Maqedonia po zbrazet me ritme të shpejta.
Të lidhura
None found
Nga PLD-ja pyesin se kush do të mësojë në shkolla në të ardhmen, nëse vendi çdo vit ka mijëra fëmijë më pak, ndërkohë që Ministri përpiqet ta paraqesë provimin shtetëror të maturës si arritje.
Partia thekson se nuk mund të pretendohet se sistemi arsimor është i suksesshëm në një kohë kur shkollat po mbeten pa nxënës dhe të rinjtë vazhdojnë të largohen nga vendi.
Sipas PLD-së, politikat e gabuara, pasiguria ekonomike, mungesa e besimit tek institucionet dhe mungesa e vizionit janë shkaqet e drejtpërdrejta të rënies demografike. Çdo vit me një numër më të ulët nxënësish në klasën e parë nënkupton më pak të rinj, më pak fuqi punëtore dhe një të ardhme më të dobët për Maqedoninë, theksohet në deklaratë.
Nga partia shtojnë se kjo çështje nuk mund të reduktohet në një shifër të zakonshme brenda një raporti.
Në përfundim të njoftimit, PLD-ja kërkon hartimin urgjent të një strategjie kombëtare për ripërtëritjen demografike dhe përkrahjen e të rinjve. Njëkohësisht, kërkohet miratimi i masave konkrete që do të krijonin kushte për qytetarët të qëndrojnë në atdhe dhe ta ndërtojnë aty të ardhmen e tyre./Telegrafi/
