Pas dorëheqjes së Kovaçevskit, LSDM-ja fillon përgatitjet për zgjedhjen e liderit të ri

Pas njoftimit të Dimitar Kovaçevskit për tërheqjen e tij nga pozita e kryetarit të LSDM-së, socialdemokratët muajin e ardhshëm do të zgjedhin liderin e ri dhe kryesinë e partisë.

Këshilli Ekzekutiv ka sjellë vendim për formimin e grupeve të punës për regjistrim aktiv të anëtarëve për votim në zgjedhjet brenda-partiake, si dhe për organizimin e një kongresi llogaridhënës të LSDM-së.

“Këshilli ekzekutiv e obligoi Komisionin Zgjedhor, mbi baza të statutit të partisë të propozojë rregullore për zbatimin e zgjedhjeve direkte brenda-partiake gjatë muajit qershor, në procedurë transparente dhe demokratike”, thonë nga LSDM, raporton Alsat. 

Nga LSDM njoftojnë se dorëheqje nga funksionet kanë dhënë edhe anëtarët e Këshillit Ekzekutiv si dhe anëtarët e kryesisë, nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm, ai organizativ dhe sekretari për bashkëpunim rajonal.

Këshillit Qendror gjithashtu i kërkohet që ta ndjekin të njëjtin shembull, si një akt moral I përgjegjësisë. Nga LSDM njoftojnë se sipas statutit të partisë, me dorëheqjen e Kovaçevskit të gjithë kryetarët e organizatave komunale janë në dorëheqje, duke pasur parasysh faktin që ata janë emëruar nga ana e kryetarit të partisë, ndërsa funksionin do ta kryejnë deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj.

Analistët vlerësojnë se pas rezultateve të zgjedhjeve dorëheqjet ishin të pritshme, madje ato duhej të dorëzoheshin natën e zgjedhjeve.

“Pritej që atë natë të jep dorëheqje edhe vetë kryetari edhe udhëheqësia. Nëse nuk gënjehem me siguri ky ishte rezultati më i keq i LSDM-së në të gjitha zgjedhjet deri më tani…

Shihet qartë se LSDM-së do t’I duhet një fillim I ri dhe në përgjithësi rregulli është që ata që e kanë bërë problemin, vështirë se mund të jenë pjesë të zgjidhjes. Megjithatë kjo I takon vetë partisë që të diskutojë”, deklaroi Aleksandar Kërzhallovski, analist.

Për pozicionin e kreut të LSDM-së, tashmë kanë filluar që të qarkullojnë zëra për kandidatët e mundshëm. Përmenden, Venko Filipçe, Petre Shilegov, Stefan Bogoev, Jovan Despotovski dhe Igor Ivanovski.


Shtuar 23.05.2024 19:51