Sipas OBRM-PDUKM-së, Valbon Limani, që garon me mbështetjen e Filipçes, Ahmetit dhe Taravarit, ka dëshmuar se i jep përparësi mbrojtjes së postit të tij mbi interesat e qytetarëve. Në një reagim të partisë thuhet se ai, në vend që të dilte publikisht dhe të merrte mbi vete barrën kryesore si i pari i komunës për situatën e krijuar në Gostivar, zgjodhi të distancohet nga skandali duke hedhur poshtë çdo lloj përgjegjësie morale.
Të lidhura
None found
Nga OBRM-PDUKM theksojnë se qytetarët nuk presin justifikime kur një problem kaq i rëndë prek gjithë qytetin, por kërkojnë përgjegjshmëri. Ata shtrojnë pyetjen retorike: nëse kryetari nuk mban përgjegjësi për veprimet e individëve që vetë i emëroi në krye të ndërmarrjeve publike, atëherë kush duhet ta mbajë atë?
Po ashtu, nga partia në pushtet e cilësojnë shqetësuese heshtjen e LSDM-së, BDI-së dhe Taravarit. Sipas tyre, këto forca politike në vend që t’i kërkonin llogari kandidatit të tyre, preferuan të rrinin në heshtje, duke treguar kështu se standardet ndryshojnë dhe parimet veniten kur preken zyrtarët e tyre.
OBRM-PDUKM nënvizon se askush nuk duhet t’i shpëtojë përgjegjësisë, qoftë ajo politike apo institucionale, dhe u bën apel organeve kompetente që ta hetojnë plotësisht rastin, pa selektivitet dhe pa përllogaritje politike.
