Autoritetet në Teheran kanë refuzuar kategorikisht akuzat e ngritura nga Parisi lidhur me trajtimin e dy diplomatëve francezë, duke sqaruar se ata janë marrë në pyetje për një kohë të shkurtër dhe menjëherë më pas i janë kthyer ambasadës franceze.
Të lidhura
None found
Mohammad Tanhaei, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme iraniane, deklaroi për agjencinë shtetërore Tasnim se gjatë procedurës së kontrollit janë sekuestruar dokumente që, sipas palës iraniane, kanë lidhje me veprimtari kundër sigurisë së vendit dhe tashmë po shqyrtohen nga organet përkatëse.
Shefi i diplomacisë iraniane, Abbas Araghchi, pati një komunikim telefonik me homologun e tij francez, Jean-Noel Barrot, ku i përshkroi veprimet e diplomatëve në fjalë si “të pazakonta dhe larg standardeve profesionale”.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Francës konfirmoi se kishte thirrur të ngarkuarin me punë të ambasadës iraniane për të kërkuar llogari për ngjarjen. Ministri Jean-Noel Barrot theksoi se të dy diplomatët u mbajtën pa asnjë justifikim për disa orë dhe se njëri prej tyre pësoi dhunë fizike gjatë ndalimit.
Këto pohime u cilësuan nga Teherani si “pretendime të pabaza”. Tanhaei shtoi se sapo u verifikua se personat e ndaluar ishin pjesë e stafit të Ambasadës Franceze në kryeqytetin iranian, ata iu kaluan policisë diplomatike dhe më vonë iu dorëzuan ambasadës, në bashkëpunim të plotë me Ministrinë e Jashtme të Iranit.
