Nënat e punësuara në Maqedoninë e Veriut mund të përfitojnë rimbursim 100 për qind të tatimit mbi të ardhurat personale që u mbahet nga pagat. Kjo masë është pjesë e ndryshimeve dhe plotësimeve të propozuara në Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat Personale, të cilat tashmë janë dërguar në procedurë parlamentare.
Të lidhura
None found
Në vend të krijimit të përfitimeve të reja sociale apo dhënies së pagesave të drejtpërdrejta nga buxheti shtetëror, mbështetja do të ofrohet përmes kthimit të tatimit të paguar më herët. Sipas propozimit, mënyra aktuale e përllogaritjes dhe pagesës së tatimit nuk do të ndryshojë, ndërsa familjet do të kenë të ardhura mujore më të larta në dispozicion.
Projektligji përcakton se nëna e punësuar do të ketë të drejtën e rimbursimit të plotë të tatimit personal të paguar mbi pagën e saj. Për nënën e fëmijës së parë, kjo e drejtë do të vlejë për 12 muaj; për nënën e fëmijës së dytë, për 24 muaj; ndërsa për nënën e fëmijës së tretë, deri në momentin kur fëmija të mbushë 18 vjeç.
Në arsyetimin e projektligjit thuhet se masa synon të përmirësojë gjendjen materiale të familjeve me fëmijë, të forcojë sigurinë financiare të nënave të punësuara dhe të lehtësojë harmonizimin e angazhimeve profesionale me jetën familjare. Gjithashtu, ajo lidhet me objektivat afatgjata të shtetit në politikën demografike dhe me nxitjen e lindjeve.
Ndryshimet ligjore janë propozuar nga deputeti Mile Cekov. Ai më parë ka qenë pjesë e ZNAM, ndërsa së fundmi është ndarë nga kjo parti dhe aktualisht ushtron detyrën si deputet i pavarur.
Sipas projektligjit, kohëzgjatja e përfitimit përcaktohet në varësi të numrit të fëmijëve në familje, duke synuar të përcjellë mbështetje për prindërimin./Telegrafi/
