Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i cilësoi si përpjekje për dezinformimin e opinionit dhe nxitjen e histerisë akuzat e LSDM-së opozitare, sipas së cilës Qeveria po bëhet gati ta pranojë propozimin francez dhe për këtë ekzistojnë sinjale të qarta nga Brukseli. Ministria hodhi poshtë si të pavërteta edhe pretendimet se ekzekutivi po synon një marrëveshje të fshehtë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Të lidhura
None found
Sipas MPJ-së, institucionet mbajnë komunikim të rregullt dhe transparent me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Bullgarinë, si edhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Megjithatë, qëndrimi i Qeverisë ndaj kushteve me të cilat përballet vendi gjatë procesit të integrimit evropian nuk ka ndryshuar.
“Nuk ka lëshime për interesat kombëtare, identitetin, gjuhën dhe historinë. Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian mbetet një përcaktim strategjik dhe qëllim përfundimtar i kësaj qeverie”, deklaruan nga MPJ, duke ritheksuar se marrëveshjet e fshehta për të cilat flet LSDM-ja nuk ekzistojnë.
Ministria thekson se, për dallim nga e kaluara, kur marrëveshjet dhe kompromiset miratoheshin pa transparencë dhe në dëm të qëndrimeve kombëtare, politika e jashtme sot udhëhiqet me përgjegjësi, mbi parime dhe hapur ndaj publikut, duke respektuar interesat kombëtare dhe vullnetin e qytetarëve.
