Mickoski: Asnjë deputet i VMRO-së nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, mohon se ka deputetë nga kjo parti që do t’i mbështesnin ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, grupi aktual parlamentar i VMRO-DPMNE-së është unik dhe i vendosur në qëndrimin e tij. Ai thotë se në kryesinë e partisë nuk ka më persona që do t’i nënshtroheshin shantazheve dhe kërcënimeve siç ka ndodhur në të kaluarën dhe do të mundësonin votat për amendamentet kushtetuese.

“Deri më sot po ofrohen të ndërmjetësojnë, ndërsa në esencë nuk kanë pushtet, disa njerëz që kanë qenë pjesë e kryesisë së mëparshëm të VMRO-DPMNE-së. Ata gënjejnë edhe nga qeveria, po gënjehen edhe nga ndërkombëtarët se nëse ofrojnë amnisti për disa zyrtarë të VMRO-DPMNE-së se ata do t’ju sjellin disa vota në Kuvend dhe do të shkaktonin përçarje në VMRO, gënjehen”, deklaroi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski përsëriti se për hapin e parë të procesit të ndryshimeve kushtetuese kërkohet një shumicë prej dy të tretash dhe i bëri thirrje kryeministrit Kovaçevski që të fillojë menjëherë procedurën, sepse, siç akuzoi ai, Kovaçevski po gënjen bashkësinë ndërkombëtare se ka progres në bisedime me deputetë të opozitës. Mickoski shtoi se mbeten në propozimin për ndryshimin e Kushtetutës sipas modelit kroat.

“Për modelin kroat, nëse vijmë në fazën e dytë për të diskutuar modelin kroat dhe nëse ka konsensus, ne jemi gati që nesër. Ja, me çmimin e dëmit politik që do ta pësojmë… siç është Preambula në Kushtetutën e Kroacisë, ashtu duhet të jetë Preambula në Kushtetutën e Maqedonisë. Ne jemi gati të flasim nesër”, shtoi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Sipas Mickoskit, në këtë përbërje parlamentare nuk do të ketë ndryshime kushtetuese. /Alsat.mk


Shtuar 24.04.2023 09:38