VMRO: Nuk do t’i votojmë ndryshimet kushtetuese

VMRO DPMNE-ja mbetet në qëndrimin e ngurtë. Nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve. Pavarësisht thirrjes së LSDM-së që edhe opozita t’i bashkohet bllokut proevropian, nënkryetar i VMRO DPMNE-së Alekandar Nikollovski u shpreh i prerë se kjo përbërje parlamentare nuk do të votojë ndryshimin e kushtetutës.

“..për të ashtuquajturat ndryshime kushtetuese mbështetje nga VMRO DPMNE-ja në këtë përbërje parlamentare, me këto kushte për ndryshime kushtetuese, nuk ka. Këtu duhet t’i vëmë pikë kësaj teme dhe t’u përkushtohemi temave të tjera. Nëse pushteti mendon se kjo kalon te populli, le të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të shohin se çfarë mendojnë qytetarët,” deklaroi Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO DPMNE-së.

Ndërkohë LSDM-ja edhe njëherë i bëri thirrje VMRO DPMNE-së që të vendos siç thotë nëse do të jetë me bllokun antievropian apo interesin e shtetit do ta vendos përpara interesave partiake.

“Përgjegjësi e të gjithë 120 deputetëve është të përfshihen në procesin e reformave të nevojshme për të ardhmen evropiane, për votën për Evropë në kuvendin maqedonas. Opozita ka përgjegjësi, para qytetarëve dhe të ardhmes së shtetit. Rreziku nga ngadalësimi i rrugës evropiane është kthim prapa, të mbetemi vetëm, jashtë proceseve ndërsa shtetet e tjera të rajonit avancojnë drejt BE-së”

Grupi i punës për hartimin e ndryshimeve kushtetuese ditë më parë miratoi njëzëri rregulloren e punës. Kryetarja e grupit punues tha se amendamentet do të përgatiten shumë shpejtë por pa dhënë afat konkret. Te grupi i punës nuk merr pjesë asnjë parti opozitare. Opozita shqiptare kërkon që pjesë e ndryshimeve kushtetuese të jetë edhe zëvendësimi i 20%-it me gjuhën shqipe. /alsat.mk