Ligjet për Korridoret 8 dhe 10-D në Maqedoninë e Veriut mbeten të bllokuara në Kuvend

Gjashtë nga tetë ligjet e propozuara kryesisht nga BDI-ja për lehtësimin e procedurave të ndërtimit të Korridorit 8 dhe 10D nuk janë vendosur fare në rend dite në komisionet përkatëse të udhëhequra nga VMRO-DPMNE-ja. Vetëm ligji për lëndët e para minerale mori miratimin e komisionit për çështje ekonomike dhe pritet të votohet së shpejti në plenare kurse ligji për marrëdhënie pune është bllokuar me mijëra amendamente në Komisionin për politikë sociale. Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së akuzon VMRO-DPMNE-në për bllokim, meqë, sipas tij, opozita nuk dëshiron ndërtimin e autostradave dhe realizimin e investimeve kapitale në të mirë të qytetarëve. I pyetur nëse pushteti planifikon të tërheqë ligjet dhe t’i rikthejë ato me yll të BE-së për të shmangur bllokimin, Ademi thotë se angazhimi i tyre për momentin, është vazhdimi i procedurave të nisura.

“I bëjmë thirrje opozitës për arsye se vetëm për dy propozim-ligje diskutohet ndërsa për gjashtë propozim-ligje të tjera të cilat komisione udhëhiqen nga kuadro që vinë nga opozita fare nuk është caktuar seancë dhe bëhet fjalë për shkelje flagrante të detyrimeve të tyre si udhëheqës të komisioneve respektive… Bisedimet e mija, kontaktet e mija janë në drejtim të konvokimit të seancave me deputetët e tjerë, përfshirë edhe opozitën janë në drejtim të konvokimit të seancave duke ua mundësuar deputetëve që të diskutojnë. Pse të mos diskutojnë deputetët?”, u shpreh Arbër Ademi, BDI.

Opozita është e vendosur të bllokojë zgjidhjet e propozuara ligjore me dyshimet për keqpërdorime dhe jotransparencë nga ana e pushtetit dhe nuk do të lëshojnë pe deri sa ta shohin marrëveshjen e arritur mes shtetit dhe Behtel-Enkës si realizues. VMRO-DPMNE-ja tashmë ka bërë një kërkesë që deputetët me certifikatë sigurie të kenë qasje te marrëveshja por deri në këto momente nuk kanë marrë përgjigje zyrtare për kërkesën e tyre.

“Sigurisht se një gjë e tillë duhet të mundësohet sipas procedurave që kanë të bëjnë me shikim të dokumenteve të klasifikuara dhe të gjithë deputetët në një procedurë të tillë që kanë interes, pse të mos njoftohen. S’ka asgjë të fshehtë, s’ka asgjë të cilën nuk duhet ta dinë deputetët por ama do të duhet t’i lëmë deputetët që të diskutojnë për propozim-ligjet. Nuk mu përgjigjët, ju vetë e keni parë marrëveshjen? Unë nuk e kam parë për arsye se nuk kam certifikatë për dokumente të klasifikuara”, u shpreh Arbër Ademi, BDI.

Tetë propozim ndryshimet ligjore synojnë të sigurojnë orar të zgjatur të punëve ndërtimore, shkurtim të procedurave administrative të shpronësimit, lehtësimit të procesit të shfrytëzimit të lëndëve të para minerale, të shfrytëzimit të hapësirave pyjore, të procedurave të planifikimit urbanistik si dhe lehtësim të marrjes së lejeve gjatë procesit të ndërtimit. /Alsat.mk


Shtuar 25.04.2023 07:48