Në Këshillin Europian në Bruksel bëhen të njohur krerët e rinj të institucioneve kryesore të unionit.
Pas mbajtjes së zgjedhjeve europiane, koalicioni i udhëhequr nga Partia Popullore Europiane edhe një herë e propozoi Ursula von der Lajen për postin e kryetares së Komisionit Europian. Ajo do të qëndrojë në këtë pozitë edhe për pesë vitet e ardhshme, dhe duke gjykuar nga deklaratat e saj të fundit, një nga prioritetet kryesore do të jetë zgjerimi i Bashkimit Europian.
Në vend të përfaqësuesit të lartë të BE-së për marrëdhëniet e jashtme dhe politikën e sigurisë, Josep Borel, po vjen kryeministrja e Estonisë Kaja Kalas. Ajo më herët në takimin me ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski ka theksuar se është përkrahëse e fuqishme e Maqedonisë dhe shpreson se do të bëhet hapi i fundit i nevojshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Para fillimit të Këshillit, Kalas zhvilloi një takim në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në largim, Jens Stoltenberg, duke theksuar se ndihma për Ukrainën është e nevojshme.
“Çmimin që e paguajmë për përkrahjen e Ukrainës, në përpjekjet e saj që ta mposhtë imperializmin rus, është i vogël krahasuar me atë se çka do të ndodhë nëse Rusia kthen. Duhet ta vendosin fitoren si qëllim”, tha Kaja Kalas, kryeministre e Estonisë.
Sharl Mishelin, si president i Këshillit Europian, do ta trashëgojë ish-kryeministri portugez Antonio Kosta. Ai vizitoi Maqedoninë dhjetorin e kaluar, ku theksoi se Maqedonia ka mbështetje për rrugën e integrimeve europiane në këtë, siç shtoi ai, kontekst sfidues gjeopolitik.
Përveç ndryshimeve në Bashkimin Europian, edhe NATO zgjodhi sekretarin e ri të përgjithshëm. Deri më tani postin e mbante Jens Stoltenberg, mandati i të cilit është zgjatur disa herë për shkak të luftës në Ukrainë dhe në këtë post që nga 1 tetori do të jetë kryeministri holandez Mark Rute./TV21