​Kovaçevski takohet me Kurtin në Ohër: Uroj biseda produktive

Kryeministri Albin Kurti është takuar me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Dimitar Kovaçevski, pak para nisjes së takimeve në kaudër të dialogut Prishtinë-Beograd që do të mbahen në Ohër.

Edhe pse nuk ka pasur deklarime për media, në një postim në Facebook, kryeministri i Maqedonisë i uroi Kurtit një ditë të suksesshme dhe bisedë produktive.

“Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i uroj një ditë të suksesshme dhe biseda produktive dhe të suksesshme dhe në të njëjtën kohë e përgëzoj për përkushtimin e shprehur për të ndërmarrë hapa konkretë të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit”, shkroi Kovaçevski.

Ai shtoi se është shumë e rëndësishme që vendet e rajonit të kenë marrëdhënie fqinjësore dhe të rrugëtojnë së bashku drejt të ardhmes evropiane.

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore, marrëveshja në vend të konfliktit dhe zhvillimi në vend të regresionit janë postulate që duhet të na çojnë ne, politikanëve të shekullit të 21-të, të cilët duam t’i udhëheqim vendet tona, dhe rrjedhimisht edhe Ballkanin Perëndimor drejt një të ardhmeje më të mirë evropiane”, përfundoi Kovaçevski.


Shtuar 18.03.2023 11:43