Pa energji elektrike dhe me kushte të amortizuara, Shtëpia studentore “Pellagonia” në Shkup ngjan me një godinë të braktisur. Hapësirat e saj janë të mbushura me papastërti, ndërsa inventari është i vjetëruar, dhomat nuk ofrojnë kushte të mira banimi, pllakat janë dëmtuar dhe tavani ka pësuar çarje. Deri në këtë pranverë, në këtë konvikt qëndronin rreth 1,000 studentë nga të gjitha vendbanimet e Maqedonisë që studionin në Shkup.
Të lidhura
None found
Sipas gazetarit të TV21, Adnan Qaili, rreth 1,000 studentë pritej të akomodoheshin në “Pellagonia” më 15 shtator, por Ministria e Arsimit ka vendosur që objekti t’i nënshtrohet një rinovimi që do të zgjasë dy vjet. Meqë tenderi ende nuk është shpallur, rreth 500 studentë shqiptarë nuk kanë ende një zgjidhje për strehimin e tyre në vitin e ri akademik.
Gjatë punimeve, në objekt planifikohet të instalohen panele fotovoltaike dhe të realizohen izolime për rritjen e efikasitetit energjetik. Drejtori i konviktit, Orhan Aliu, tha se ndërhyrjet synojnë të shmangin faturat e larta të energjisë elektrike, të cilat arrijnë deri në 1 milion denarë në muaj, pasi objekti tarifohet me çmime të shtrenjta dhe jo me tarifat që zbatohen për objektet shkollore.
Aliu theksoi se një pjesë e madhe e studentëve shqiptarë zgjedhin këtë konvikt për shkak të afërsisë me Universitetin “Nënë Tereza” dhe Universitetin “Shën Kirili dhe Metodia”. Ky i fundit, sipas tij, sivjet është i mbyllur për rikonstruim, ndërsa ende nuk dihet se ku do të akomodohen studentët.
“Shumica e studentëve shqiptar janë të akomoduar këtu për shkak të lokacionit të Universitetit ‘Nënë Tereza’ dhe ‘Shën Kirili dhe Metodia’ ku sivjet për fat të keq është i mbyllur për rikonstruim dhe nuk e dimë studentët ku do të shkojnë… Të gjithë studentët do të transferohen nëpër konviktet e tjera. Tani është problem se Konvikti Pellagonia dhe Konvikti Seniçe janë të mbyllura, ndoshta do të ketë numër më të lartë të studentëve. Tani problemi akomodimit të studentëve do të jetë në kurriz të Ministrisë”, tha Orhan Aliu.
Drejtori i “Pellagonisë” foli edhe për keqinterpretimet që, sipas tij, janë bërë lidhur me raportin e Revizionit për vitin 23-24. Ai mohoi pretendimet për keqpërdorime në furnizimin me ushqime të mensës studentore, duke sqaruar se në tender sasitë maten në kilogramë dhe jo në copë, siç është raportuar në mënyrë të pasaktë nga disa media.
“Këtu bukën e matim me kg, si buka fill dhe buka e misrit 76 denarë dhe buka tjetër 70 denarë, kur të llogaritet me kg i bie më lirë se jashtë. Këtu gjevrekët që thanë 127 denarë një copë është gabim se këtu llogariten në kg që llogariten 10 copa që përpjesëtim i bie 14,7 denarë për një gjevrek”, u shpreh Orhan Aliu.
Ministria e Arsimit ka konfirmuar për TV21 se Shtëpia studentore “Pellagonia” është mbyllur përkohësisht dhe se punimet ndërtimore pritet të nisin deri në fund të këtij viti. Megjithatë, nga dikasteri bëjnë të ditur se ende nuk dihet se kur do të zhvillohet procedura për përzgjedhjen e kompanisë. /tv21
