Rreth 1.000 raste të reja të kancerit të gjirit evidentohen çdo vit në vend, ndërsa aktualisht rreth 7.000 paciente po trajtohen ose e kanë përfunduar trajtimin, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Të lidhura
None found
Deklarata u bë gjatë aktivitetit “Piknik mëngjesin rozë”, të organizuar nga HEMA-ONKO në Parkun pranë “Guacës”. Në veprimtari morën pjesë edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, si dhe shumë gra, të cilat ndoqën mesazhet për rëndësinë e parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe komunikimit të hapur për kancerin e gjirit.
Klekovski tha se ndërgjegjësimi i publikut për këtë sëmundje mbetet një prej prioriteteve, pasi zbulimi në kohë është vendimtar për suksesin e trajtimit. Sipas tij, një problem i rëndësishëm është programi aktual i skriningut për kancerin e gjirit, i cili është vlerësuar si i pasuksesshëm në raportin e Entit shtetëror për revizion.
“Koncepti duhet të rishqyrtohet tërësisht dhe shpresoj që shumë shpejt, së bashku me HEMA-ONKO-n, të prezantojmë një qasje të re për programin e skriningut”, deklaroi ministri.
Sa i takon trajtimit, ministri njoftoi se dy barna për kancerin e gjirit janë përfshirë në listën pozitive. Kjo u mundëson pacientëve që ndjekin terapi kronike t’i tërheqin ilaçet në farmaci, pa pasur nevojë të paraqiten në Klinikën e onkologjisë. Ai shtoi se furnizimi me barna është aktualisht i qëndrueshëm, ndërsa Ministria e Shëndetësisë po shqyrton masa të tjera për të parandaluar ndërprerjet në shpërndarjen e terapisë.
Klekovski rikujtoi gjithashtu se prej vitit të kaluar është siguruar financim shtesë për Klinikën e kirurgjisë torakale dhe Klinikën e kirurgjisë plastike. Kjo mbështetje synon që ndërhyrjet rikonstruktive të realizohen menjëherë pas përfundimit të trajtimit kirurgjikal.
“Për ne, kjo nuk është thjesht një çështje estetike, por lidhet drejtpërdrejt me shëndetin psikofizik dhe cilësinë e jetës së grave që janë përballur me këtë sëmundje”, u shpreh Klekovski.
Ministri tha se në periudhën e ardhshme do t’i kushtohet vëmendje edhe më e madhe parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit të kancerit të gjirit, i cili vazhdon të jetë një nga sëmundjet malinje më të shpeshta te gratë.
