Instituti i Shëndetit Publik (IShP) vlerëson se përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit gjenden ende shumë hotele, objekte turistike dhe vendbanime që mund të jenë burim i drejtpërdrejtë ose potencial i ndotjes së liqenit. Ky konstatim përfshihet në raportin e fundit të institucionit për cilësinë dhe sigurinë e ujërave sipërfaqësore për larje rekreative.
Të lidhura
None found
Edhe pse kolektori grumbullon dhe përpunon ujërat e zeza që vijnë nga Ohri dhe Struga, raporti nënvizon se disa ndërtime të realizuara gjatë viteve të fundit nuk janë lidhur në këtë sistem. Bëhet fjalë për hotele dhe komplekse turistike në hapësirën nga Hoteli “Desaret” deri në Shën Naum, si edhe për objekte në zonën ndërmjet Strugës dhe fshatit Radozhdë.
Sipas IShP-së, banesat private në Saraishte, Kaneo, pranë kishës “Shën Sofia”, përgjatë gjithë vijës bregliqenore, por edhe në fshatrat Trpejcë, Ljubanishtë dhe Radozhdë, në pjesën më të madhe shfrytëzojnë gropa septike. Disa prej tyre pastrohen nga ndërmarrjet komunale, ndërsa në Radozhdë një pjesë e ujërave të zeza përfundon drejtpërdrejt në liqen, duke krijuar ndotje të menjëhershme.
Një tjetër rrezik për ndotje përbëjnë rrjetet e shkarkimit të ujërave atmosferike, ku në raste të caktuara janë lidhur edhe ujërat e zeza të objekteve kolektive dhe të shtëpive private. Në raport përmenden gjithashtu pishinat e hoteleve dhe Pishina e Qytetit si burime të mundshme ndotjeje.
Probleme janë evidentuar edhe te kanalizimi lokal në Shën Naum. Ndonëse sistemi është ndërtuar në vitin 2013, ai nuk operon në mënyrë të plotë, pasi ujërat e zeza trajtohen vetëm përmes thërrmuesve, pa filtra dhe pa klorim përpara se të shkarkohen në liqen.
Nga ana tjetër, testet laboratorike të realizuara në periudhën nga 20 maji deri më 24 qershor 2026 tregojnë se në pjesën dërrmuese të Liqenit të Ohrit uji përmbush normat e përcaktuara me ligj. Sipas parametrave fiziko-kimikë, uji është renditur në klasën I, përveç pikës së matjes në plazhin Grashnicë, ku është konstatuar klasa III.
Në analizat mikrobiologjike, pjesa më e madhe e mostrave ka marrë vlerësimin “Shkëlqyeshëm”. Ndërkaq, cilësia e ujit në plazhin pranë Hotelit “Royal”, në Labino dhe në kanalin Studençishtë është vlerësuar me notën “Mirë”. Mostra e marrë në pikën matëse Grashnicë nuk i ka plotësuar kriteret mikrobiologjike as për kategorinë “Shkëlqyeshëm” dhe as për kategorinë “Mirë”.
