Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, zhvilloi një takim me ambasadorin e Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Martin Pamer. Gjatë bisedës u trajtuan procesi i integrimit evropian të vendit dhe roli i decentralizimit në fuqizimin e institucioneve lokale.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të ministrisë, Austria shprehu mbështetjen e saj për rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut, ndërsa u vu në dukje edhe domosdoshmëria e vazhdimit të reformave.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua krijimit të besimit në një shoqëri multietnike dhe multikonfesionale. Ambasadori Pamer vlerësoi gjithashtu organizimin e aktivitetit të mbajtur për 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke nënvizuar kontributin e saj në bashkëjetesën dhe kohezionin shoqëror, thuhet në komunikatën e Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.
Ferati dhe Pamer shqyrtuan edhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit përmes projekteve të organizatave joqeveritare të të dyja vendeve.
Palët vlerësuan se bashkëpunimi në këtë sektor mund të ndihmojë në konsolidimin e demokracisë, përfshirjen e të rinjve, forcimin e besimit dhe zhvillimin e bashkësive etnike.
