Petar Bogojeski ka reaguar kundër nismës së ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, për organizimin e Provimit të Jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.
Në një postim të publikuar në gjuhën maqedonase, nacionalisti maqedonas shpreh pretendimin se pas dhjetë vitesh gjykatës shqiptarë mund të gjykojnë qytetarë maqedonas përmes përkthyesve, pasi, sipas tij, nuk do ta zotërojnë gjuhën maqedonase.
Të lidhura
None found
“Për një kohë të shkurtër (10 vjet), do të kemi një gjykatës shqiptar etnik që do të gjykojë dy maqedonas etnikë me përkthyes, sepse nuk do ta dijë gjuhën maqedonase. Ose një prokuror…”, shkruan Bogojeski.
Ai e konsideron këtë një situatë të paqëndrueshme dhe paralajmëron se përdorimi i gjuhës shqipe në drejtësi mund ta shtyjë Maqedoninë e Veriut drejt kantonizimit ose federalizimit.
Sipas tij, ndarja etnike nuk do të kufizohej vetëm në sistemin gjyqësor, por mund të shtrihej edhe në arsim, shëndetësi dhe administratë.
Bogojeski kundërshton vendosjen e shqipes si gjuhë institucionale paralele, ndërsa u bën thirrje shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut të mësojnë dhe të përdorin gjuhën maqedonase.
“Shqiptarët duhet ta kuptojnë se në Maqedoni duhet ta mësojnë dhe ta dinë gjuhën maqedonase. Shqipja është e tyre, e padiskutueshme, por nuk mund të jetë gjuhë paralele sistemore”, shprehet ai.
Në përfundim të reagimit, ai ironizon mundësinë e përdorimit të përkthyesve për gjuhët e vendit dhe e mbyll statusin me shprehjen “Maqedoni e mjerë”.






