Një autobus dykatësh i NTP “Shkupi” është përfshirë nga flakët në zonën e Vodnos. Mjeti i përkiste linjës 25, e cila shkon deri në Vodno.
Të lidhura
None found
Stojançe Angellov, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, deklaroi se ekipet e zjarrfikësve të Shkupit po punojnë për shuarjen e zjarrit dhe se pritet që ndërhyrja të përfundojë së shpejti. Sipas tij, aktualisht nuk ka rrezik që flakët të përhapen në vegjetacionin përreth.
Nga Ndërmarrja e Transportit Publik në Shkup konfirmuan se incidenti nuk ka shkaktuar persona të lënduar.
NTP bëri të ditur se shoferi reagoi menjëherë, me qetësi dhe përgjegjshmëri. Sipas ndërmarrjes, ai mori të gjitha masat e nevojshme, duke shmangur pasoja më të rënda, dëme më të mëdha materiale dhe përhapjen e zjarrit në hapësirën përreth.
Ndërkohë, shërbimet kompetente kanë nisur kontrollet përkatëse për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit.
Autobusët e transportit publik në Shkup janë përballur shpesh me defekte, ndërsa më herët janë raportuar edhe raste të tjera zjarresh dhe aksidentesh.
Vetëm gjatë dy viteve të fundit, sipas raportimeve, janë shënuar të paktën tetë incidente ku autobusë janë përfshirë nga zjarri. Në disa prej këtyre rasteve, mjetet janë dëmtuar rëndë ose janë djegur tërësisht.
