Aleanca për Shqiptarët vlerëson se respekti për identitetin dhe gjuhën maqedonase ka qenë i vazhdueshëm nga ana e shqiptarëve, por thekson se njëkohësisht duhet të respektohen edhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Të lidhura
None found
“Shqiptarët e kanë dëshmuar gjithmonë respektin dhe përkrahjen për identitetin, gjuhën dhe dinjitetin e bashkëqytetarëve maqedonas, edhe atëherë kur ky qëndrim nuk është kthyer në të njëjtën mënyrë. Ne asnjëherë nuk e kemi vënë në pikëpyetje identitetin e tyre, ndërsa në Kushtetutë ende përcaktohemi përmes formulimit përçmues prej 20 për qind”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Sipas kësaj partie, shqiptarët përbëjnë pothuajse një të tretën e popullsisë dhe nuk mund të trajtohen si të huaj në shtetin ku jetojnë.
“Ne nuk jemi mysafirë në këtë shtet dhe nuk do të lejojmë që të ardhmen tonë ta mbajnë peng llogaritjet politike të askujt”, shprehen nga Aleanca për Shqiptarët.
Partia kërkon zbatimin e detyrimeve të përcaktuara në vitin 2022, pavarësisht qëndrimit të kryeministrit Hristijan Mickoski. “Marrëveshja është marrëveshje. Detyrimet e vitit 2022 duhet të përmbushen, pavarësisht nëse Mickoskit i pëlqen apo jo. Pasiguria lidhur me kushtet hipotetike të Bullgarisë nuk mund të përdoret si arsye për të penguar rrugën evropiane”, deklarojnë nga ASH.
ASH thekson se Mickoski kishte më shumë hapësirë veprimi në vitin 2024 sesa në vitin 2026, ndërsa nëse kjo qasje vazhdon, në vitin 2028 ai mund të jetë në një pozitë edhe më të dobët.
“Koha po tregon se zvarritja e procesit e rrit koston për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Të rinjtë po largohen, familjet po shpërngulen dhe politika vijon të fitojë kohë. Gruevski na mori një dekadë. Shqiptarët nuk do të presin edhe dhjetë vjet të tjera për Mickoskin”, thuhet në reagim./Telegrafi/







