ASH-ja refuzon thirrjen e Lëvizjes BESA, konfirmon pjesëmarrjen në takimin e liderëve

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari vlerëson se duhet të ketë komunikim mes partive shqiptare, por jo edhe të ulen ndaras nga partitë e tjera sepse do të krijohet alibi që të akuzohen për “Platformën e dytë të Tiranës”. Me këtë Taravari lë të kuptohet se nuk do të merr pjesë në takimin e thirrur nga kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Kreu i ASH-së mbrëmë njoftoi se do të merr pjesë në takimin e ditës së hënë të ftuar nga kryeministri.

“Me Lëvizjen Besa dhe gjitha partitë shqiptare jemi në komunikim të vazhdueshëm. Ideja të ulemi, të komunikojmë dhe t’i sjellim vendimet së bashku. Unë me sa e shoh të gjitha partitë janë pro asaj që e kemi thënë për 20%. Nuk duhet t’i japim dikujt arsye që të thirret Platforma e dytë e Tiranës. Mendojmë se mund ta menaxhojmë atë duke diskuar dhe duke e mbajtur këtë diskutim të vazhdueshëm”, tha Arben Taravari, U.D kryetar i ASH-së.

BDI vlerëson se për t’u harmonizuar partitë shqiptare, mjafton takimi i ditës së hënë në Kuvend. Këtë e tha nënkryetari i kësaj partie, Arbër Ademi në emisionin “Rruga drejt” në Alsat.

“E konsiderojmë të rrugës që të gjitha partitë politike të ulen, të diskutojnë, të argumentojnë qëndrimet e tyre dhe të bisedojnë për të gjitha çështjet e hapura. Nuk mendoj se është koha për protagonizëm, bajraktarizma dhe për të pasur ndonjë rol parësorë në këtë proces”, deklaroi Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së.

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha akuzoi BDI-në për keqpërdorimin e Deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare në vitin 2017. Sipas Hoxhës, keqpërdorimin e BDI-së e dëshmon qasja e saj tani ndaj ftesës së Kasamit për tryezën e përbashkët.

“Atëherë BDI duhet ta pranon se në 2017 mekanizmin e Deklaratës së partive politike shqiptare, a e ka keqpërdorur vetëm për t’u rikthyer në Qeveri. Situata politike në ato kohë ishte shumë më senzitive se sa është sot. Tani jemi në kushte shumë më normale, më paqësore dhe më të qeta në aspektin e raporteve ndër-etnike në vend”, u shpreh Arjanit Hoxha, zëvendëskryetar i Lëvizjes Besa.

Ndërkohë Alternativa i është përgjigjur negativisht thirrjes së Kasamit, ndërsa akoma nuk e kanë pranuar thirrjen e kryeministrit për takimin në Kuvend ku janë ftuar liderët e të gjitha partive parlamentare. Ndërkohë kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se për pjesëmarrjen në takimin e liderëve do të vendoset pas konsultimeve brenda partisë. Derisa formati i takimit në Kuvend por merr formë, burime nga Lëvizja Besa thonë se do të presin reflektimin e liderëve shqiptarë deri javën që vjen, përkatësisht deri pas takimit të ditë së hënë. /Alsat.mk

Shtuar 4.11.2022 16:46