Gjatë muajit korrik, në hapësira të hapura janë shënuar mesatarisht rreth 15 zjarre në ditë. Sipas drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, të gjitha vatrat u vunë nën kontroll dhe u shuan me sukses falë reagimit në kohë të ekipeve zjarrfikëse dhe ndihmës së mjeteve ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Angellov e bëri këtë deklaratë sot para mediave.
Të lidhura
None found
Ai sqaroi se reshjet e regjistruara gjatë periudhës së fundit kanë ndihmuar në pakësimin e rasteve të zjarreve, ndërsa njëkohësisht kanë penguar përhapjen e shpejtë të tyre.
Megjithatë, Angellov paralajmëroi se periudha me reshje tashmë ka përfunduar. Temperaturat e larta, niveli i ulët i lagështisë në ajër dhe ndryshimi i drejtimit të erërave favorizojnë nisjen e menjëhershme të zjarreve, përhapjen e tyre dhe vështirësitë në shuarje. “Mjafton vetëm një shkëndijë”, deklaroi ai, duke shtuar se pjesa më e madhe e zjarreve shkaktohet pa dashje. Sipas tij, qytetarët zakonisht nuk kanë qëllim të ndezin zjarr, por edhe një pakujdesi e vetme mund të shkaktojë pasoja të rënda.
Drejtori i bëri apel qytetarëve që të mos hedhin bishta cigaresh në ambiente të hapura, veçanërisht nga automjetet që janë në lëvizje.
Angellov u kërkoi gjithashtu qytetarëve të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt të policisë ose numrin 112 për çdo sjellje të dyshimtë. Ai i ftoi ata të raportojnë edhe persona që transportojnë lëngje të dyshimta, pishtarë, fishekzjarre të mëdha apo objekte dhe veprime të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
