Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, është takuar me përfaqësuesin e Organizatës Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut, Bruno Ceka. Në bisedë janë trajtuar situata aktuale politike në vend dhe vështirësitë me të cilat përballen shqiptarët.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti bëri të ditur se vëmendje e veçantë iu kushtua ngecjes në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, cenimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe dhe garantimit të përfaqësimit të drejtë e adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Pjesë e diskutimit ishte edhe nevoja për ta përshpejtuar integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, të cilin bashkëbiseduesit e konsideruan orientimin e vetëm strategjik të vendit. Ata folën gjithashtu për domosdoshmërinë e fuqizimit të partneritetit të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit u shqyrtua edhe ngërçi që lidhet me dhënien e provimit të jurisprudencës. Ahmeti kërkoi zgjidhje sa më të shpejtë, duke nënvizuar se kjo çështje prek drejtpërdrejt shumë profesionistë të rinj dhe se institucionet kompetente duhet ta zbatojnë kuadrin ligjor ekzistues.
Takimi u vlerësua si i dobishëm nga kryetari i BDI-së. Sipas tij, biseda u zhvillua në frymën e bashkëpunimit dhe të përkushtimit të përbashkët për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, si dhe për përshpejtimin e rrugëtimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
