Mbi gjysma e të rriturve deklarojnë se gëzimi në jetën e tyre është zëvendësuar nga presioni në punë dhe stresi financiar. Por ekspertja e psikologjisë pozitive, Lowri Walsh, thotë se lumturia mund të rikthehet edhe përmes hapave të vegjël e të thjeshtë, që marrin vetëm pak minuta nga dita.
Ajo ka ideuar një seri të quajtura “misione gëzimi”, të mbështetura në psikologjinë pozitive dhe në studimet mbi mirëqenien emocionale. Synimi i tyre është t’i ndihmojnë njerëzit të dalin nga rutina automatike dhe të krijojnë më shumë vend për lumturi në përditshmëri.
Të lidhura
None found
Sipas Walsh, një pjesë e madhe e njerëzve sot jetojnë në një gjendje të vazhdueshme “mbijetese”, ku në plan të parë vihen produktiviteti, efikasiteti dhe përballimi i detyrimeve të përditshme, ndërsa gëzimi trajtohet si diçka dytësore ose si luks.
“Lajmi i mirë është se gëzimi nuk është një tipar me të cilin lindim ose jo. Ai është një praktikë e përditshme që mund të kultivohet nga secili prej nesh. Përmes disa veprimeve të thjeshta, njerëzit mund të ndihen më të lehtësuar, më optimistë dhe të rikthejnë lidhjen me gjërat që i bëjnë vërtet të lumtur”, shprehet ajo.
Walsh këshillon që në rutinën e përditshme të përfshihen disa zakone të lehta, si t’i bëni një kompliment dikujt, të shijoni një vakt të mirë dhe të shëndetshëm, apo edhe të vallëzoni pa menduar kush po ju sheh, shkruan Daily Star, transmeton Klankosova.tv.
Sipas saj, lëvizja dhe vallëzimi janë mënyra që ndihmojnë për të ndërprerë gjendjen e vazhdueshme të stresit dhe mbijetesës me të cilën përballen shumë njerëz sot. Kjo ndikon në uljen e tensionit dhe në rikthimin e ndjenjave të vërteta të gëzimit.
Pse po humbasim gëzimin?
Një studim i zhvilluar me 2,000 të rritur tregoi se përgjegjësitë familjare, shqetësimet financiare dhe presionet në vendin e punës po ndikojnë ndjeshëm në mirëqenien emocionale të njerëzve.
Sipas rezultateve:
29% e të anketuarve thonë se nuk e mbajnë mend herën e fundit kur janë ndier vërtet të lumtur.
34% pranojnë se shpesh i lënë pas dore aktivitetet që u sjellin gëzim.
35% u shprehën se mungesa e gjumit ndikon negativisht në mirëqenien e tyre.
30% e shohin shëndetin mendor si një nga sfidat kryesore që ua vështirëson të ndihen mirë.
Lumturia është një praktikë e përditshme
Ekspertët nënvizojnë se lumturia nuk lidhet gjithmonë me ngjarje të mëdha apo me arritje të jashtëzakonshme, por shpesh nis pikërisht nga momentet e vogla të përditshme që ne priremi t’i anashkalojmë./Klankosova.tv
