Kur dikush shmang përgjegjësinë, një debat mund të shndërrohet lehtësisht në një përpjekje për kontroll dhe kalim të fajit te pala tjetër.
Të lidhura
None found
Në një marrëdhënie të shëndetshme, secili duhet të ndihet i respektuar, i mbështetur dhe i sigurt. Megjithatë, diskutimi me një person që nuk arrin të dallojë ndikimin e sjelljes së vet mund të bëhet shpejt rraskapitës, i paqartë dhe i rëndë në aspektin emocional.
Mungesa e vetëdijes shpesh i pengon njerëzit të marrin përgjegjësi, të dëgjojnë atë që thotë tjetri dhe ta vlerësojnë situatën në një kuadër më të gjerë. Në vend që të kërkojnë zgjidhjen e problemit, ata mund ta devijojnë temën, të mbrojnë veten me çdo kusht ose t’ia ngarkojnë fajin bashkëbiseduesit.
Në pamje të parë, këta persona mund të duken të qetë, racionalë dhe madje bindës. Vetëm pasi nis përplasja bëhet e dukshme sa e vështirë është të zhvillohet me ta një komunikim i hapur dhe i barabartë.
Telegrafi përcjell disa prej sjelljeve që shfaqen më shpesh gjatë konfliktit te njerëzit me nivel shumë të ulët të vetëdijes për veten.
1. E paraqesin veten si viktimë, megjithëse situata nuk e justifikon
Një ndër sjelljet më rraskapitëse është këmbëngulja për të marrë rolin e viktimës edhe kur faktet nuk e mbështesin një pozicion të tillë. Në vend që të përqendrohen tek ajo që keni përjetuar ju, ata e drejtojnë bisedën sërish te vetja.
Për shembull, mund ta zvogëlojnë rëndësinë e dhimbjes, vështirësisë ose përvojës suaj duke deklaruar se edhe ata “e dinë shumë mirë si është”, ndonëse realiteti ndryshon tërësisht. Kështu, jo vetëm që nuk ju kushtojnë vëmendje, por përvetësojnë edhe gjithë hapësirën emocionale të diskutimit.
Në vend të shprehjes “E kuptoj që kjo të ka lënduar”, përgjigjja e tyre mund të jetë “Po edhe unë kam vuajtur”. Në këtë mënyrë, vëmendja largohet nga çështja kryesore.
2. Kalojnë menjëherë nga një gjendje emocionale në tjetrën
Brenda të njëjtit debat, dikush që nuk e kupton mirë sjelljen e vet mund të kalojë papritur nga qetësia te sulmet personale. Në njërin çast sillet në mënyrë të arsyeshme, ndërsa pak më vonë bëhet akuzues, fyes ose i ashpër.
Mund të kërkojë ndjesë dhe menjëherë pas saj të rifillojë sulmin. Po ashtu, mund të përdorë një ton të butë për disa sekonda, përpara se ta shfrytëzojë të njëjtën bisedë për t’ju bërë përgjegjës.
Arsyeja është se synimi i tij nuk është domosdoshmërisht zgjidhja e mosmarrëveshjes, por kontrolli mbi mënyrën se si paraqitet ngjarja. Ai kërkon të dalë në pozicion të favorshëm në fund, edhe nëse për këtë duhet të deformojë faktet ose ta ndryshojë qëndrimin nga një çast në tjetrin.
3. Përdorin përçmimin për t’ju vendosur në pozitë më të ulët
Toni nënçmues është një tjetër shenjë e zakonshme. Persona të tillë mund të ruajnë një pamje të kontrolluar dhe të qetë, por këtë qetësi e përdorin për t’ju folur sikur të ishin mbi ju.
Mes shprehjeve që mund të përdorin janë: “Ti nuk e kupton”, “Po e dramatizon”, “Je shumë i/e ndjeshëm/e” ose “Nuk ia vlen të flas me ty kur je kështu”.
Deklarata të tilla nuk ndihmojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Ato e bëjnë tjetrin të ndihet i pavlerë dhe i poshtëruar, ndërsa biseda, në vend që të synojë mirëkuptimin, shndërrohet në një përplasje për epërsi.
Kur dikush komunikon me përçmim, zakonisht nuk kërkon të kuptojë atë që ka ndodhur. Përkundrazi, përpiqet ta paraqesë veten si palën “më të arsyeshme”, ndërsa juve si personin “më problematik”.
4. Refuzojnë në çdo rast të pranojnë se kanë gabuar
Për njerëzit që nuk janë të vetëdijshëm për sjelljen e tyre, është jashtëzakonisht e vështirë të thonë “Kam gabuar” ose “Më vjen keq që të lëndova”. Edhe përballë fakteve të qarta, ata mund të gjejnë mënyra për t’ia kaluar përgjegjësinë dikujt tjetër.
Kur gabojnë, mund të pretendojnë se janë provokuar. Nëse ju shkaktojnë dhimbje, mund të thonë se e keni keqinterpretuar situatën. Kur veprojnë padrejtësisht, mund ta arsyetojnë sjelljen duke pohuar se kishin një motiv të fortë.
Përgjegjësia, në këtë mënyrë, nuk mbetet asnjëherë tek ata. Fajin e ka gjithmonë dikush ose diçka tjetër: ju, rrethanat, stresi, e kaluara apo “mënyra si e thatë”.
Pranimi i gabimeve është pjesë e zhvillimit në një marrëdhënie të shëndetshme. Ndërsa për ata që nuk mund ta shohin veten me sinqeritet, çdo gabim perceptohet si rrezik për egon.
5. Ua atribuojnë juve problemet dhe sjelljet e tyre
Në debatet më të tensionuara, këta persona mund t’ju akuzojnë pikërisht për veprimet që kryejnë vetë. Kur sillen ashpër, ju quajnë agresivë; kur manipulojnë, pretendojnë se manipuluesi jeni ju; dhe kur nuk dëgjojnë, deklarojnë se jeni ju që nuk po i kuptoni.
Ky mekanizëm njihet si projektim. Ai ndodh kur një person ia vesh tjetrit ndjenjat, frikën ose sjelljet që nuk është i gatshëm t’i njohë dhe t’i pranojë te vetja.
Diskutimi me dikë që projekton vazhdimisht është shumë lodhës, pasi ju shtyn të mbroheni nga akuza që nuk ju përkasin. Problemi i vërtetë lihet mënjanë dhe biseda kthehet në një përpjekje për të dëshmuar se nuk jeni “i çmendur”, “i padrejtë” apo “fajtori”.
Çfarë duhet të keni parasysh
Një sjellje e keqe gjatë debatit nuk do të thotë automatikisht se personi është manipulues ose i paaftë për të ndryshuar. Çdokush mund të ketë çaste kur reagon në mënyrë tepër mbrojtëse, flet keq ose nuk e pranon menjëherë gabimin.
Megjithatë, vendosja e kufijve bëhet e rëndësishme kur këto modele përsëriten pa pushim dhe çdo përplasje ju lë të rraskapitur, të paqartë dhe me përshtypjen se përgjegjësia për gjithçka po ju ngarkohet juve.
Një diskutim i shëndetshëm u jep të dyja palëve mundësinë të shprehen, të dëgjohen dhe të marrin përsipër pjesën e tyre të përgjegjësisë. Kur një person refuzon vazhdimisht ta bëjë këtë, çështja nuk kufizohet vetëm te debati, por lidhet me mënyrën se si ai e percepton veten, juve dhe marrëdhënien.
Nuk është e nevojshme të dilni fitues nga çdo diskutim. Ndonjëherë zgjedhja më e shëndetshme është të mos përfshiheni në lojën e dikujt që nuk synon mirëkuptimin, por kërkon vetëm të kontrollojë variantin e vet të së vërtetës.
