Shkencëtarët kanë nxjerrë në pah pesë faktorë që janë vendimtarë për zhvillimin e trurit të të porsalindurve gjatë vitit të parë të jetës.
Këto janë ushqimi i mirë, një mjedis stimulues dhe i sigurt, kujdes cilësor, një ritëm i rregullt cirkadian dhe gjumë, sipas një studimi të Universitetit të Uashingtonit.
Ndërsa studimet e mëparshme kanë ofruar prova për përfitimet e këtyre faktorëve individualë të zhvillimit, hulumtimi i ri fokusohet në rëndësinë e tyre kolektive dhe se si ato ndikojnë në zhvillimin e trurit në mitër dhe në fëmijërinë e hershme.
“Kur foshnjat i kanë këto pesë gjëra, zhvillimi i trurit, njohja dhe zhvillimi social-emocional i tyre përmirësohet,” tha Joan Luby, profesor i psikiatrisë së fëmijëve.
Në studimin e tyre, Lubi dhe kolegët ekzaminuan 232 të porsalindur dhe nënat e tyre, duke u fokusuar në faktorët pozitivë në mjedisin e tyre gjatë shtatzënisë dhe në vitin e parë të jetës së foshnjave. Ekipi zbuloi se fëmijët që kishin të pesë faktorët e rritjes, të quajtur edhe faktorë T, u zhvilluan në mënyrë të shëndetshme.
Më e rëndësishmja, studimi zbuloi gjithashtu se edhe fëmijët që rriten në kushte të pafavorshme mund të zhvillohen në mënyrë të shëndetshme nëse përfshihen faktorët e mësipërm.
Megjithëse gjenetika luan një rol në zhvillimin kognitiv të një të porsalinduri, hulumtimet tregojnë se shëndeti ynë ndikohet shumë nga mjedisi ynë psikosocial. Me fjalë të tjera, faktorët mjedisorë – të tillë si ndjenja e sigurt dhe e ushqyer mirë, gjithashtu formojnë zhvillimin tonë, ndoshta edhe më shumë se sistemet tona biologjike.
Studimi është publikuar në revistën “JAMA Pediatrics”.