Disa njerëz pretendojnë se vaksina përmban lëndë magnetike. Për të vërtetuar këtë, nëpër rrjete sociale, përfshirë edhe llogari shqiptare, qarkullojnë video ku njerëz vendosin monedha në vendin ku pretendojnë se kanë bërë vaksinën dhe ilustrojnë se monedha nuk bie.
Po çfarë po ndodh në të vërtetë? Mjekët kundërshtojnë me forcë këtë teori. “Ky është budallallëk. Kjo është plotësisht e sajuar,” tha për Health Amesh A. Adalja, studiues i vjetër në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore.
Vaksinat e Covid-19 nuk përmbajnë përbërës që mund të prodhojnë një fushë elektromagnetike në vendin e injektimit, shpjegon Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), duke theksuar se të gjitha vaksinat Covid-19 nuk përmbajnë metale si hekuri, nikeli, kobalti, litiumi etj.
“Për më tepër, doza tipike për një vaksinë Covid-19 është më pak se një mililitër, e cila nuk është e mjaftueshme për të lejuar tërheqjen e magneteve në vendin e vaksinimit edhe nëse vaksina do të përmbante ndonjë metal magnetik.” – shkruan CDC.
Vendosin monedhë në vendin e vaksinës dhe nuk bie? Ja
Pse magneti ngjitet te disa njerëz?
“Është e mundur që një objekt të ngjitet në vajrat e lëkurës ose në lëkurë të djersitur. Njerëzit mund të ekuilibrojnë lugën në hundë, kështu që nuk është për t’u habitur që mund të ekuilibrojnë magnetet në krahët e tyre,” shpjegoi për Health Jamie Alan profesoreshë e asociuar e farmakologjisë dhe toksikologjisë në Universitetin Shtetëror të Michigan-it.
Dr. Adalja shtoi edhe një hile të vogël:
“Nëse e zhytni një monedhë në mjaltë ose slime dhe e vendosni në krahë, sigurisht që do të ngjitet.”
Të njëjtën gjë konfirmoi në një intervistë për “Wake up” epidemiologu Ilir Alimehmeti. Ai shpjegoi se nëse ngjitet monedha, kjo ndodh për shkak të djersës në trup.
“[Kjo ndodh sepse] është një dukuri fizike, klasike. Një objekt i vogël me peshë relativisht të vogël në një sipërfaqe të rrafshët, por tashmë elastike si lëkura, që ka edhe lagështirë, yndyrë, lëndë të tjera ngjitëse që prodhon, [do të ngjitet]. Lëkura nuk është njësoj gjithë ditën, ka pjesë ku djersitësh më shumë.” – shpjegoi ai.
Alimehmeti sugjeroi që nëse monedha ju ngjit në vendin ku keni bërë vaksinën, të lyeni zonën me pudër bebesh (pasi eleminon lagështirën) dhe do të shihni që monedha nuk do të qëndrojë. “Nëse do të kishte qenë magnet, monedha do të vijonte të ngjiste,” tha ai.