Prej kohësh, boronicat janë vlerësuar gjerësisht si një prej frutave me vlerat më të larta ushqyese dhe kjo nuk është e rastësishme. Të pasura me antioksidantë, fibra dhe përbërës të tjerë bimorë thelbësorë, këto kokrra të imëta i ofrojnë trupit përkrahje të shumanshme. Sipas të dhënave të publikuara nga Health dhe të transmetuara nga Klankosova.tv, studimet konfirmojnë se përfshirja e rregullt e tyre në dietë mund të mbrojë zemrën, të fuqizojë trurin, të lehtësojë riaftësimin muskulor pas sforcove fizike dhe të përmirësojë shëndetin në tërësi.
Të lidhura
None found
Kur flasim për aktivitetin fizik, dëmtimet e indeve muskulore janë një pasojë e zakonshme. Në raste të tilla, konsumi i boronicave mund të jetë një aleat i vyer. Fruti përmban polifenole, substanca me fuqi antioksiduese që ndihmojnë në zbutjen e proceseve inflamatore. Një analizë e studimeve të mëparshme sugjeron gjithashtu se këto manaferra luajnë një rol aktiv në rigjenerimin e forcës dhe të funksionalitetit muskulor.
Antioksidantët janë molekula që luftojnë dëmtimin qelizor. Mjafton të përmendim se një porcion i vetëm me boronica ofron një sasi më të madhe antioksidantësh sesa sasia ekuivalente e kumbullave, luleshtrydheve apo e disa varieteteve të tjera të manaferrave. Hulumtimet tregojnë se antioksidantët e pranishëm në këtë frut frenojnë inflamacionin dhe ulin stresin oksidativ. Falë përbërësve si antocianinat dhe polifenolet, që amplifikojnë efektet mbrojtëse, boronicat radhiten ndër frutat funksionale me përfitimet më të spikatura, raporton Index.hr.
Një tjetër avantazh i rëndësishëm lidhet me funksionin cerebral. Një studim ka evidentuar se boronicat mund të përmirësojnë kujtesën dhe aftësitë psikomotore te personat e moshuar që shfaqin shenja të lehta të rënies njohëse. Vlen të theksohet se manaferrat janë fruti i vetëm që zë një vend të veçantë në dietën MIND, një regjim ushqimor që ndërthur parimet e dietës mesdhetare me ato të dietës DASH, i konceptuar për të parandaluar demencën dhe përkeqësimin njohës të lidhur me moshën.
Përsa i përket shëndetit kardiovaskular, duke frenuar inflamacionin dhe stresin oksidativ, boronicat mund të parandalojnë ngurtësimin e arterieve, një gjendje që shton ndjeshëm rrezikun për infarkt dhe aksident cerebral. Një hulumtim krahasoi efektet e konsumimit ditor të 150 gramëve boronica me një placebo te personat me sindromë metabolike, e cila përbën një grumbull faktorësh rreziku për sëmundjet e zemrës dhe diabetin. Individët që konsumuan boronicat shfaqën përmirësime të vazhdueshme në funksionimin arterial, elasticitet më të mirë të enëve të gjakut dhe ndryshime pozitive në profilin e yndyrave në gjak. Këto gjetje i shtynë studiuesit të arrijnë në përfundimin se fruti mund të integrohet në strategjitë ushqimore për uljen e rrezikut kardiovaskular.
Edhe shikimi mund të përfitojë nga ky frut, falë përqendrimit të lartë të antocianinës. Këto komponime ushtrojnë një veprim mbrojtës dhe mund të ulin rrezikun e dëmtimit të qelizave të retinës – shtresa e ndjeshme e indeve në pjesën e pasme të syrit – që shkaktohet nga ekspozimi ndaj dritës.
Lëkura jonë përballet vazhdimisht me agresorë të jashtëm si ndotja mjedisore dhe rrezatimi ultravjollcë. Boronicat mund të ofrojnë një shkallë të caktuar mbrojtjeje ndaj këtyre dëmtimeve. Falë arsenalit të tyre antioksidues, ato e ndihmojnë lëkurën të përballojë më me efikasitet faktorët e dëmshëm të ambientit.
Së fundmi, përfshirja e boronicave në regjimin e përditshëm mund të sjellë ndryshime të dukshme në shëndetin e aparatit tretës. Ato janë një burim fibrash, të cilat jo vetëm që nxisin ndjesinë e ngopjes, por ndihmojnë edhe në rregullimin e tranzitit intestinal. Për më tepër, ky frut rezulton i favorshëm për florën bakteriale të zorrëve. Konsumi i boronicave në gjendje të lëngshme mund të shtojë popullatën e bifidobaktereve, mikroorganizma thelbësorë për tretjen efikase të fibrave dietike.
