Të rriturit gënjejnë dhe e bëjnë këtë edhe me fëmijët. Madje me këta të fundit, kanë bindjen se fëmija nuk kupton. Një histori rastësore e shkëputur nga rrugët e Tiranës, vjen si një mesazh për të gjithë prindërit, kujdestarët apo këdo tjetër që kujdeset për fëmijët nga pediatria Lira Gjika.
“Dy prindër dhe fëmija i tyre po kalonin te një nga rrugët e “bllokut”, të cilat janë plot me dyqane ëmbëlsirash dhe akulloresh. Në një nga këto dyqane ëmbëlsirash, mesa duket fëmija ishte mësuar të ndalonte aty dhe ti blinin ëmbëlsirën që i pëlqente. Këtë rradhë prindërit kishin vendosur të mos i blinin më ëmbëlsira dhe kështu, u përpoqën ta evitonin dyqanin.
Deri këtu gjithshka në rregull.
Ajo që më bëri përshtypje, qe mënyra që zgjodhën prindërit për ta evituar ndalesën tek dyqani. Ata i ranë shkurt, e gënjyen fëmijën.
Ata i thanë : dyqani është i mbyllur, fëmija që e kishte parë dyqanin, filloi të bërtasë me të madhe- është i hapur , është i hapur.
Nëna i përsëriste:- jo, është i mbyllur, jo, është i mbyllur- dhe i drejtohej dhe të shoqit: -thuaji edhe ti që është i mbyllur.
Dy prindër, dy të rritur, që përtojnë të mendojnë dhe e vetmja zgjidhje që gjejnë, është gënjeshtra.
Për fat të keq këtë mënyrë e kemi praktikë të përditëshme në trajtimin e fëmijëve. Të tjerat mendojini vetë”, shkruan Lira Gjika.