Paralajmërimi i mjekëve: Vetmia është po aq e rrezikshme sa duhani
Mjeku i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Vivek Murthy, tha se ky vend po përballet me një epidemi vetmie që është po aq e rrezikshme për shëndetin sa pirja e 15 cigareve në ditë.
Murthy lëshoi një doracak këshillues, i cili bën thirrje që izolimi social të trajtohet seriozisht sikurse obeziteti ose abuzimi me drogën.
Sipas tij, gati gjysma e amerikanëve, nga të gjitha sferat e jetës, mendohet se janë prekur nga vetmia.
Ajo, sipas tij, lidhet me arritje më të ulëta akademike apo performancë më të keqe në punë.
Gjendja është përkeqësuar nga pandemia COVID-19, e cila ka bërë që shumë njerëz t’i zvogëlojnë rrethet e tyre shoqërore, tha Murthy, i cili njëherësh është edhe udhëheqës operacional i Shërbimit të Shëndetit Publik të SHBA-së.
Ai prezantoi, gjithashtu, një kornizë kombëtare për rindërtimin e lidhjeve sociale.
Strategjia e tij ka gjashtë shtylla që përfshijnë përpjekjet për të forcuar infrastrukturën sociale në mesin e komuniteteve.
Ajo thekson edhe nevojën për më shumë transparencë të të dhënave nga firmat e teknologjisë, si dhe për një reformim të mjediseve digjitale.
Sipas doracakut këshillues, vetmia rrit rrezikun e vdekjes së parakohshme për gati 30%, pasi mund të shkaktojë stres te njerëzit, diabet, sulm në zemër apo pagjumësi.
Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se doracaku është pjesë e përpjekjeve më të gjera të administratës së presidentit Joe Biden për të trajtuar shëndetin mendor.
Maji është muaji i ndërgjegjësimit për shëndetin mendor në SHBA./ REL/
mjekeve paralajmerimi vetmia duhani