Një provë e thjeshtë dëshmoi se edhe pak minuta komunikim me persona të panjohur mund të ndikojnë te humori, vetëbesimi dhe ndjenja se jemi më pranë të tjerëve.
Të lidhura
None found
Çdo ditë ndeshemi me dhjetëra njerëz që nuk i njohim, qoftë në autobus, park, dyqan, palestër apo teksa presim fëmijët pas një aktiviteti. Megjithatë, në shumicën e rasteve kalojmë pranë tyre pa shkëmbyer asgjë më shumë se një vështrim.
A mund ta ndryshojë gjendjen tonë emocionale një bisedë disaminutëshe me një të panjohur dhe të na bëjë të ndihemi më të lidhur me njerëzit?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, gazetarja dhe shkrimtarja Katharine Chan ndërmori një eksperiment shtatëditor. Rregulli ishte i qartë: gjatë secilës ditë, ajo duhej të merrte iniciativën për të folur me dikë që nuk e njihte.
Shumë njerëz përreth, por pak komunikim i drejtpërdrejtë
Sipas Chan, bashkëshorti i saj e ka të natyrshme të krijojë njohje të reja. Ai mund t’i shoqërojë fëmijët në futboll dhe të kthehet në shtëpi me numrat e telefonit të personave që sapo ka takuar.
Ndryshe nga ai, ajo shkon shpesh për të marrë fëmijët me kapelë dhe syze dielli, me shpresën se askush nuk do ta përfshijë në ndonjë bisedë.
Puna e saj si shkrimtare nënkupton që pjesën më të madhe të ditës ta kalojë përpara ekranit, ndërsa komunikimin ta zhvillojë kryesisht me email-e dhe mesazhe. Kontakti i saj ballë për ballë kufizohet kryesisht te bashkëshorti dhe, herë pas here, te ndonjë prind tjetër.
Kjo rutinë e shtyu të mendonte nëse kishte krijuar gabimisht përshtypjen se njohjet e reja kërkojnë patjetër shumë energji dhe kohë. Prej kësaj pyetjeje mori udhë eksperimenti, transmeton Telegrafi.
Dita e parë: Nga një pyetje e zakonshme te rrënjët familjare
Personi i parë me të cilin Chan vendosi të fliste ishte kujdestari i shkollës së fëmijëve.
Ajo që nisi si një pyetje e zakonshme u kthye në një rrëfim për familjen dhe emigrimin. Kujdestari i tregoi se si kishte mbërritur në Kanada, ndërsa Chan solli ndër mend përvojën e prindërve të saj, të cilët kishin emigruar disa dekada më herët.
Ndonëse e kishte parë shumë herë në ambientet e shkollës, vetëm atëherë ajo zbuloi se pas figurës së njohur fshihej një histori e plotë.
Ky shkëmbim do të mbetej një prej çasteve më të bukura të eksperimentit shtatëditor.
Dita e dytë: Gjithçka nisi nga një pyetje e thjeshtë
Të nesërmen, teksa priste që vajza të mbaronte kursin e ukuleles, pranë Chan u ul një nënë tjetër.
Ajo e hapi bisedën duke e pyetur nëse dita e saj kishte qenë e ngarkuar.
Kaq mjaftoi që të dyja të flisnin natyrshëm për lodhjen, fëmijët dhe vështirësitë e prindërimit. Ato qeshën së bashku dhe u larguan me përshtypjen se, kur të shiheshin sërish, me shumë gjasë do të bisedonin përsëri.
Nuk pati ndonjë zhvillim të pazakontë, por pikërisht këtu qëndronte thelbi: për t’u lidhur me dikë, jo gjithmonë nevojitet një bisedë e gjatë.
Dita e tretë: Një ndërveprim i shkurtër nuk do të thotë dështim
Në këndin e lojërave, Chan iu drejtua një babai që po kujdesej për vajzën e tij të vogël.
Komunikimi përfundoi shpejt, pasi vëmendja e tij ishte e përqendruar te fëmija dhe rrethanat nuk ishin të përshtatshme për një bisedë më të gjatë.
Megjithatë, ajo nuk e konsideroi këtë përvojë si të pasuksesshme.
Eksperimenti po i tregonte gjithashtu se njerëzit jo gjithmonë kanë mundësi ose dëshirë të flasin në një moment të caktuar, dhe se kjo është krejt normale.
Nga një qen te palestra: Pak minuta afërsi njerëzore
Gjatë një dite tjetër, një qen krijoi rastin për një bashkëbisedim të këndshëm mes Chan, vajzës së saj dhe një çifti të moshuar.
Në palestër, megjithatë, përpjekja rezultoi më e vështirë. Pothuajse të gjithë mbanin kufje dhe dukeshin të përqendruar te ushtrimet, ndaj ajo mundi të shkëmbente vetëm pak fjali me një punonjës.
Edhe kjo përvojë i dha një mësim: disa mjedise e favorizojnë më shumë komunikimin, ndërsa të tjera janë më pak të përshtatshme për të.
Fjalët e një të panjohure që i ndryshuan ditën
Një prej përvojave më emocionuese të Chan ndodhi në bibliotekë.
Ajo dhe fëmijët ndihmuan një grua të moshuar që ndodhej në karrocë. Ky veprim i vogël hapi rrugën për një bisedë rreth familjes dhe nipërve.
Para se të ndaheshin, e moshuara i tha Chan se ishte një nënë e mirë dhe se duhej të vazhdonte atë që po bënte.
Megjithëse erdhën nga dikush që nuk e kishte takuar asnjëherë më parë, ato pak fjalë ishin të mjaftueshme për t’ia zbukuruar të gjithë ditën.
Një njohje rastësore u shndërrua në këshillë praktike
Në ditën e fundit të eksperimentit, Chan iu drejtua një gruaje në supermarket, pranë sektorit ku shitej mishi.
Gjatë bisedës mësoi se ajo ishte kuzhiniere profesioniste. Gruaja i shpjegoi mënyrën për të dalluar disa pjesë të mishit, si dhe çfarë duhej të shikonte për të përzgjedhur një biftek të mirë.
Më vonë, vajza e Chan i tha se kishte bërë mirë që kishte biseduar me të.
Në atë çast, gazetarja kuptoi edhe një dobi tjetër të takimeve të tilla: njerëzit që na kalojnë rastësisht pranë mund të zotërojnë njohuri që nuk do t’i merrnim kurrë, nëse nuk do t’u drejtonim fjalën.
Si ndikojnë bisedat e shkurtra në mirëqenien tonë?
Në psikologji, kontakte të tilla njihen si “lidhje të dobëta”. Ato nuk kanë afërsinë e marrëdhënieve familjare apo të miqësisë, por sërish mund të sjellin efekte pozitive në mirëqenie.
Psikologu Harry Cohen thotë se ndërveprimet e vogla shoqërore mund të përmirësojnë humorin, të pakësojnë vetminë dhe të forcojnë ndjenjën e përkatësisë.
Psikoterapistja Terri Cole përmend gjithashtu një studim, sipas të cilit njerëzit që folën me një të panjohur gjatë udhëtimit me tren ose autobus raportuan humor më të mirë krahasuar me ata që zgjodhën të qëndronin vetëm.
Rezultati pas shtatë ditëve
Pas përfundimit të eksperimentit, Chan nuk kishte krijuar shtatë miq të rinj dhe jeta e saj nuk ishte transformuar rrënjësisht.
Ajo që kishte ndryshuar ishte këndvështrimi i saj për njerëzit që e rrethonin.
Chan nisi të mendonte me kureshtje se cilin person do të takonte të nesërmen dhe çfarë rrëfimi mund të dëgjonte prej tij.
Mes të gjitha kontakteve, biseda që i mbeti më fort në kujtesë ishte ajo me kujdestarin e shkollës. Ai kishte qenë aty prej një kohe të gjatë, por ajo nuk e kishte njohur asnjëherë në të vërtetë.
Vetëm disa minuta komunikim kishin bërë që të dy ta vazhdonin ditën duke u ndier më mirë.
Jo çdo afrim njerëzor kërkon një bisedë të gjatë
Cohen sugjeron që hapi i parë të jetë fare i vogël: një buzëqeshje, një “mirëmëngjes”, një përshëndetje drejtuar fqinjit ose gatishmëria për t’i ofruar dikujt ndihmë.
Qëllimi nuk është të ushtrojmë presion mbi veten për t’u miqësuar me këdo që takojmë. Ideja është të mos e shpërfillim ndikimin që mund të kenë kontaktet e vogla mes njerëzve.
Në përfundim të provës së saj, Chan kuptoi se për të dalë nga zona e rehatisë nuk është gjithmonë e domosdoshme të ndërmerren hapa të mëdhenj.
Ndonjëherë, pak minuta të kaluara duke folur me një të panjohur mjaftojnë për ta bërë ditën më interesante, për të ngritur humorin dhe për të na rikujtuar se bota ku jetojmë është shumë më e ndërlidhur nga sa mendojmë.
