Nëpër rrugët e Tiranës shikon nëna të veshura me mëngë të shkurtra, sepse kanë vapë, ndërsa fëmijët i veshin me xhupa dhe kapuç, pasi kanë frikë se fëmijët mund të sëmuren. Më mirë të veshur trashë se “nuk i gjen gjë”. Po a është e vërtetë kjo mënyrë të menduari, se po e veshëm trashë fëmijën i shpëton sëmundjeve? Jo kjo nuk është e vërtetë.
Veshja e trashë e bezdis fëmijën dhe është e dëmshme edhe në dimër e jo më në kohë të ngrohtë. Veshja është një “mjet” i shpikur nga njeriu dhe është një gjetje shumë inteligjente. Njeriu duke patur një trup të zhveshur, jo të mbuluar me gëzof si gjitarët e tjerë, nuk e ka të lehtë të përballojë luhatjen e temperaturës së ambjentit për të ruaj temperaturën e duhur, e cila duhet për zhvillimin e proceseve normale fiziologjike dhe jetike. Njeriu me anë të veshjes ndihmon qëndrën trunore të temperaturës të funksionojë normalisht pavarësisht stinëve.
Gjithashtu, një veshje jo e përshtatshme, pengon lëkurën në proceset e saj për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e organizmit si fizikisht po ashtu edhe psikoemocionalisht. Veshja nuk mund të përdoret me idenë e frikës nga sëmundjet. Veshja duhet të jetë e shëndetshme dhe e rehatëshme, në të kundërt, kthehet në një faktor më shumë që ushqen bezdinë dhe frikën e njeriut nga natyra dhe jeta.